Referuar të dhënave të këtij censusi, shqiptarët përbëjnë 24.3% të popullsisë, çka do të thotë se, sipas Kushtetutës, gjuha shqipe duhet të ishte e barabartë me gjuhën maqedonase. Tabelë: 58,44% Maqedonas, 24,30% Shqiptarë, 3,86% Turq, 2,53% Romë, 1,30% Serbë.
Profesor i Antropologjisë, Arsim Sinani, vlerëson se “mentaliteti politik maqedonas është i kapur nga doktrina serbe, e cila është shumë e fuqishme në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo i nxit qarqet politike maqedonase dhe i vendos në një pozicion për t’u konfrontuar me shqiptarët, që për mendimin tim është një gabim dhe nuk do të duhej pala maqedonase ta pranonte këtë. Dhe ky është një konflikt i rremë.” Sinani thekson gjithashtu se maqedonasit mendojnë se, nëse gjuha shqipe do të përdorej lirshëm, “e humbin shtetin”, por sipas tij faktori shqiptar është real dhe shkon deri në 40% në rast të një regjistrimi të ri. Ai vë në dukje se ka hezitim të vazhdueshëm për përdorimin e shqipes dhe mungesë vullneti politik për ta zgjidhur çështjen, pavarësisht bashkëpunimeve mes liderëve.
Prof. as. e së Drejtës Civile, Albana Metaj Stojanova, shprehet se “nuk ekziston një dëshirë dhe vullnet politik, që herë pas here thellohet sa herë vjen në pushtet VMRO-DPMNE, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.”
Ekspertët nënvizojnë se gjuha shqipe duhet të përdoret lirshëm dhe se kjo është edhe kusht për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Amendamenti nr. V i Kushtetutës parashikon që dokumentet personale të qytetarëve që flasin gjuhë tjetër zyrtare lëshohen në gjuhën maqedonase dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj, në pajtim me ligjin. Gjithashtu, çdo qytetar që jeton në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë tjetër zyrtare, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive mund të përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj.
Historian Nuri Bexheti vlerëson se “Ligji i vitit 2018, nëse do të implementohej ashtu siç është sot, do të ishte i mjaftueshëm nga këndvështrimi im si historian për shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Përjashtuar ushtrinë, sepse, ta kemi të qartë, në ushtri ka vetëm një gjuhë komanduese; nuk mundet një ushtarak të komandojë në dy gjuhë.” Burimi: Top Channel.

