Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se El Niño i ardhshëm mund të jetë më i forti i regjistruar ndonjëherë në histori. Sipas Organizatës Meteorologjike Botërore, gjasat që përpara muajit shtator të formohet një “Super El Niño” janë gati 80%. Ky fenomen natyror rrit temperaturat globale dhe shton reshjet e shiut.
Shkencëtarët paralajmërojnë se El Niño këtë herë mund të jetë jashtëzakonisht i fuqishëm dhe të sjellë pasoja ekstreme, sidomos në një planet që tashmë po ngrohet nga ndryshimet klimatike. El Niño i vitit 2023–2024 tashmë i kishte çuar temperaturat globale në nivele rekord, dhe ekzistojnë shqetësime se një përforcim i këtij fenomeni do të intensifikojë ndikimet klimatike.
El Niño përshkruhet si një çrregullim i qarkullimit oqeanik dhe atmosferik në Paqësorin tropikal, ku ujërat e ngrohta zhvendosen drejt brigjeve të Amerikës, duke ndikuar në motin global. Ky proces zakonisht sjell reshje më të mëdha dhe rritje përmbytjesh në disa rajone, ndërsa në të tjera shkakton thatësira dhe ekstreme klimatike. Ndër efektet e pritshme janë ndryshime të rëndësishme në modelet e reshjeve dhe ngrohjen e përgjithshme të klimës.
Të dhënat nga satelitët dhe sensorët oqeanikë tregojnë se masa të mëdha uji shumë të ngrohtë në thellësi të Paqësorit po lëvizin drejt lindjes. Ky lëvizje konsiderohet sinjal që zakonisht paraprin ngrohjen e sipërfaqes së oqeanit dhe intensifikimin e fenomenit El Niño. Vëzhgimet e vazhdueshme të temperaturave oqeanike dhe parametrave atmosferikë po ndiqen nga institucionet meteorologjike për të vlerësuar zhvillimin dhe forcën e mundshme të ngjarjes.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse El Niño zhvillohet fuqishëm, viti 2027 mund të rezultojë jashtëzakonisht i nxehtë dhe i shoqëruar me fenomene të motit ekstrem në shumë pjesë të botës. Mes rajoneve që mund të përballen me ndryshime të rëndësishme përmendet edhe Europa Jugore, ku pritet që periudhat e thatësisë të alternohen me reshje të forta. Top Channel.

