Mediat greke i kanë kushtuar vëmendje të madhe investimit në Zvërnec, duke i rezervuar edhe hapësirë në edicionet kryesore të lajmeve. Gazetarët e kanalit STAR trajtuan gjerësisht projektin, të cilin e përshkruan si një investim që do të sjellë zhvillim të madh e pozitiv për Shqipërinë, ndërsa parashikohet të ndikojë në turizmin grek.
Gazetari Ilia Papanikolau vuri në dukje se projekti do të përfshijë sipërfaqe prej dy milionë e gjysmë metra katrorë, një përmasë që ai krahasoi me 150 herë sa Kopshti Kombëtar në Greqi. Ai përmendi si zona kryesore Zvërnecin dhe Pishë Porosin, të cilat i përshkroi si bukuri unike natyrore për vizitorët. Sipas raportimeve, vlera e investimit pritet të tejkalojë 4 miliardë dollarë.
Gazetari theksoi se ndikimi ekonomik për Shqipërinë do të jetë i konsiderueshëm dhe paralajmëroi se zhvillimi i turizmit elitë në këtë zonë mund të sjellë humbje për destinacionet turistike greke, veçanërisht për ishujt Jon, si Korfuzi dhe Kefalonia, të cilët sipas tij nuk duhet të jenë të kënaqur me këtë zhvillim pasi mund të humbasin turistë që deri tani i zgjedhin ata.
Në lidhje me përmasën dhe rëndësinë e projektit në arenën ndërkombëtare, në reportazhin e STAR u përmend edhe aspekti politik dhe i imazhit: kur kryeministri Rama shfaqet në fotografi me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhe kur kjo e fundit përmendet në mediat amerikane si mbështetëse e rëndësishme e investimit, kjo tregon sipas gazetarëve një ngritje gjeopolitike të Shqipërisë. Raporti përmend se kjo lëvizje ka implikime në marrëdhëniet me vendet e tjera në rajon, duke përfshirë një krahasim me pozicionin e Greqisë dhe Turqisë.
Lajmi u transmetua në kanalin STAR dhe u përmend në burimin e përcjellë nga Top Channel.

