Sonte Shqipëria luan ndaj Izraelit, në përballjen e shtatë mes dy vendeve dhe herën e parë që ato takohen në një ndeshje miqësore; gjashtë përballjet e mëparshme ishin për kualifikueset e Botërorit dhe Europian. Bilanci i mëparshëm është në favor të izraelitëve, ndërsa Shqipëria ka dy fitore dhe katër humbje.
Takimi shënon debutimin e trajnerit italian Rolando Maran në stolin e Kombëtares. Ai ka nisur punën pa revolucione të menjëhershme, por me sinjale rinovimi; për herë të parë janë ftuar në ekipin A mesfushori i Carrarese, Luis Hasa, dhe portieri i Partizanit, Pano Qirko. Zgjedhjet e trajnerit janë të kushtëzuara nga mungesat për shkak të dëmtimeve: Tomas Strakosha, Ernest Muçi, Rey Manaj dhe Nazmi Gripshi nuk janë në dispozicion. Maran pati vetëm dy ditë për përgatitje taktike me grupin, i cili u grumbullua plotësisht të hënën, më 1 qershor.
Izraeli vjen në Tiranë pa trajnerin e parë, Ran Ben Shimon; ndeshjen do ta drejtojë ndihmësi i tij, Gal Cohen. Cohen ka vlerësuar Shqipërinë si një kundërshtar me cilësi dhe pret një ndeshje të vështirë.
Përshkak të historikut dhe rëndësisë së përballjeve mes të dyja skuadrave, masat e sigurisë janë të larta. Një ditë para ndeshjes është vënë re prania masive e policisë rreth stadiumit; ekipet specializuara, me ndihmën e qenve anti-eksplozivë, kanë kryer inspektime të detajuara të ambienteve në tribuna. Rrugët lidhëse rreth stadiumit do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të takimit, ndërsa akset kryesore si Unaza, Rruga e Elbasanit dhe Bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të lira për qarkullimin.
Duke u bazuar në preferencat taktike të Maran, të shprehura nga eksperiencat e tij në klube si Cagliari, Brescia dhe Chievo, pritet që ai të përdorë skemën 4-3-1-2 me romb në mesfushë, që kërkon një mesfushë të fortë qendrore dhe një “fantazist” pas dy sulmuesve. Formacioni i mundshëm i Shqipërisë përmendet si: portier Alen Sherri; mbrojtësit Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj; mesfusha Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi; fantazist Nedim Bajrami; sulmues Armando Broja dhe Mirlind Daku.

