Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës nënshkruan një marrëvesë për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor gjatë sezonit turistik 2026. Marrëveshja synon të përmirësojë parametrat e sigurisë rrugore duke marrë parasysh fluksin e lartë vjetor të shtetasve dhe mjeteve nga Kosova dhe lëvizjen intensive në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë. Në nënshkrim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha.
Aktivitetet e përbashkëta do të vendosin në qendër teknologjinë për policimin rrugor dhe synojnë të shmangin ndalimet e panevojshme të automjeteve. Marrëveshja përfshin intensifikimin e angazhimit të efektivëve të të dy policive për parandalimin e aksidenteve rrugore, konstatimin e shkeljeve rrugore, menaxhimin e flukseve të lëvizjes dhe shmangien e trafikut. Po ashtu, objektiva të marrëveshjes janë goditja e krimeve ndërkufitare dhe rritja e vigjilencës për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Hita vlerësoi partneritetin me Policinë e Kosovës dhe theksoi se bashkëpunimi pa barriera ka dhënë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të armëve dhe lëndëve narkotike, si dhe kundër migracionit të paligjshëm, duke përmendur edhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale. Ai njoftoi gjithashtu rritjen e përdorimit të dronëve, radarëve dhe automjeteve inteligjente për matjen e shpejtësisë, që sipas tij kanë minimizuar kontaktin fizik midis punonjësve të Policisë Rrugore dhe drejtuesve të automjeteve, si dhe kanë rritur transparencën dhe besimin e publikut.
Hoxha konfirmoi gatishmërinë e efektivëve të përzgjedhur për të shërbyer me korrektësi, profesionalizëm dhe humanizëm pranë zonave bregdetare dhe turistike, duke kontribuar në rritjen e sigurisë rrugore. Ai po ashtu konfirmoi vendosmërinë e Policisë së Kosovës për të bashkëpunuar më ngushtë në shkëmbimin e inteligjencës kriminale për të arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Në përfundim, të dy drejtorët nënshkruan marrëveshjen dhe riafirmuan angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë rrugore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.

