Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të zgjedhë më 3 qershor pesë anëtarë të rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, dhe Gjermania është një nga vendet që synon një vend në këtë organ. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shprehu optimizëm për shanset e vendit, duke theksuar angazhimin e Gjermanisë ndaj sistemit të OKB-së dhe rolin e saj si donator i dytë më i madh financiar pas SHBA-së. Ai deklaroi: “Do të thoja se shanset janë të mira, por është një garë dhe është demokraci. Pra, mund të fitojmë, mund të humbasim. Të dyja janë të mundshme. Ne kemi argumente të mira. Jemi të angazhuar në këtë botë. Jemi të angazhuar në sistemin e OKB-së.”
Ekspertët paralajmërojnë se kandidatura nuk është e garantuar, pasi politika e jashtme e Gjermanisë përballet me kritika për qëndrime të perceptuara si të dyfishta në konfliktet ndërkombëtare. Ministria e Jashtme gjermane argumenton se vendi është një partner i besueshëm i OKB-së prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh, duke theksuar kontributin financiar: “Si kontribuesi i dytë më i madh në sistemin e OKB-së (pas SHBA-së), Gjermania është prej më shumë se pesëdhjetë vitesh një partnere e besueshme e OKB-së.”
Nëse zgjidhet, Gjermania synon të përqendrohet te parandalimi i konflikteve, menaxhimi i krizave, siguria klimatike dhe forcimi i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Berlini mbështet gjithashtu reformimin e Këshillit të Sigurimit, duke argumentuar se struktura aktuale nuk pasqyron më realitetin e shekullit XXI. Në garën për vendet e lira, Gjermania përballet me konkurrentë si Austria dhe Portugalia.
Për t’u zgjedhur, kandidatura duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të 193 shteteve anëtare të OKB-së. Këshilli i Sigurimit, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm me të drejtë vetoje: SHBA, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Përbërja aktuale reflekton fuqitë dominuese pasluftës dhe nuk është rifreskuar për dekada, pavarësisht ndryshimeve gjeopolitike.

