Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, tha se SPAK-u ka përballuar një ngarkesë pune më të madhe, me çështje më komplekse dhe pritshmëri më të larta publike, ndërsa forma e kriminalitetit po ndryshon shpejt. Ai vuri në dukje se korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, pastrimi i parave, kriptovalutat dhe komunikimet e enkriptuara kërkojnë përgjigje institucionale më të specializuara, më teknike dhe më të qëndrueshme.
Braho theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk mund të kufizohet vetëm te ndjekja e autorëve individualë, por duhet të synojë strukturat, mekanizmat e përfitimit, rrjetet mbështetëse dhe pasuritë që burojnë nga aktivitetet kriminale. Për këtë arsye, hetimi financiar dhe ai pasuror do të jenë pjesë thelbësore e punës së SPAK-ut.
Ai njoftoi se SPAK do të forcojë qasjen proaktive në hetim, pasi krimi i organizuar nuk pret të referohet, por duhet identifikuar, analizuar dhe goditur përmes inteligjencës kriminale, analizës financiare, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përdorimit të mjeteve moderne. Kjo qasje kërkon prokurorë të specializuar, hetues të përgatitur, analistë financiarë dhe ekspertë.
Braho shtoi se sfidat e reja duhet shoqërohen me mbështetje të reja buxhetore, duke nënvizuar se kjo mbështetje nuk duhet parë si privilegj institucional, por si një investim në aftësitë e institucioneve të drejtësisë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e parave në mënyrë sa më efektive.
Deklarimet u shpërndanë në një komunikim publik të kreut të SPAK, ku u përmend nevoja për mjete më të specializuara dhe përgatitje profesionale për të përballuar ndryshimet në natyrën e kriminalitetit dhe për të rritur efektivitetin e hetimeve, veçanërisht në aspektin financiar dhe ndërkombëtar.
Top Channel

