Një aksident me pasojë vdekjen ndodhi në orët e para të mëngjesit në Lushnjë, ku si viktimë mbeti 43-vjeçari Ernis Xhumari, nga Karbunara e Lushnjës. Sipas informacioneve të marra nga gazetari i Top Channel Bledar Korreshi, nga burime në Policinë e Lushnjës, pak para aksidentit Xhumari kishte shkuar para Komisariatit të Lushnjës duke xhiruar gomat dhe duke përdorur fjalor ofendues. Punonjësit e sallës operative, përmes kamerave të sigurisë, kanë konstatuar automjetin tip “Mercedes-Benz” duke kryer manovra të çrregullta dhe drejtuesin duke u ulur-çuar dhe duke bërtitur para komisariatit.
Salla operative njoftoi Patrullën e Përgjithshme për të verifikuar sjelljen e drejtuesit. Sapo pa patrullën, drejtuesi i automjetit u largua me shpejtësi të madhe. Në tentativë për t’iu shmangur forcave të policisë, 43-vjeçari mori drejtimin drejt Karbunarës, por për shkak të shpejtësisë së lartë dyshohet se humbi kontrollin e automjetit. Automjeti u përplas me bordurat anësore në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit”, u përmbys dhe më pas u përfshi nga flakët. Edhe pse i është dhënë ndihma e parë, drejtuesi nuk mundi të mbijetojë.
Burimet thanë se rreth dy muaj më parë Xhumarit i ishte hequr leja e drejtimit pasi ishte kapur në gjendje të dehur dhe ndaj tij ishte proceduar. Sipas njoftimit zyrtar paraprak të Policisë së Lushnjës, ngjarja u regjistrua rreth orës 01:45 të datës 02.06.2026. Në përshkrimin e operativit thuhet se pas largimit të automjetit me shpejtësi, disa minuta më vonë dyshohet që për shkak të shpejtësisë dhe humbjes së kontrollit automjeti u përplas dhe drejtuesi, i identifikuar me inicialet E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën.
Gjithashtu raportohet se grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Viktima Ernis Xhumari rezulton të jetë vëllai i zv.ministres së Mjedisit, Elda Xhumari. Top Channel citon si burim informacionet paraprake të Policisë së Lushnjës.

