Në Kinemanë Millennium u shfaq premiera e dokumentarit kushtuar Robert Ndrenikës, ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Dokumentari, me skenar dhe regji nga Iva Garo dhe Namik Ajazi dhe prodhim i Mediavizion, është ndërtuar në vetën e parë dhe e bën vetë Ndrenikën narratoren e jetës dhe karrierës së tij, duke shfrytëzuar kujtimet, reflektimet dhe emocionet personale për të udhëhequr publikun në rrëfimin e tij.
Përmes dëshmive të miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve ndër vite, filmi paraqet si dimensionin artistik të një aktori që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenë dhe ekran, ashtu edhe anën njerëzore të tij. Nga këto rrëfime del portreti i një kolosi të pakrahasueshëm në skenë, i shoqëruar nga një përditshmëri e thjeshtë, afërsia dhe dashuria ndaj njerëzve, cilësi që sipas autorëve dhe dëshmitarëve kanë shoqëruar gjithë jetën e tij.
Ndrenika është nderuar me titullin “Nderi i Kombit” dhe mbetet një nga figurat më të çmuara të kulturës shqiptare. Në shenjë respekti për kontributin e tij, Asambleja e Shoqatës Tirana i akordoi Mirënjohjen e Qytetit të Tiranës, duke treguar se edhe qyteti ku ai ndërtoi dhe jetoi pjesën më të madhe të historisë së tij artistike i është mirënjohës.
Mbrëmja e premierës u shoqërua me duartrokitje të gjata dhe respekt të sinqertë nga të pranishmit, duke u kthyer në një homazh për një artist që ka bërë breza të qeshin, të lotojnë, të reflektojnë dhe të dashurojnë artin. Dokumentari pasqyron se emri i Robert Ndrenikës nuk i përket vetëm historisë së teatrit dhe filmit shqiptar, por edhe zemrave të publikut që e ka ndjekur e admiruar për dekada.
Përtej rrëfimit të një karriere të jashtëzakonshme, filmi synon të portretizojë një njeri që u bë legjendë pa humbur thjeshtësinë, dinjitetin dhe fisnikërinë e tij. Si i tillë, Ndrenika paraqitet jo vetëm si aktor i madh, por si një institucion i gjallë i kulturës shqiptare. Top Channel.

