Sezoni 2025/26 u mbyll me triumfin e Egnatias në fazën Final Four, me skuadrën rrogozhinase që iu imponua të gjithë kundërshtarëve, edhe pse sezonin e rregullt e mbylli në vendin e tretë të klasifikimit. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të fundit të kampionatit, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një intervistë njoftoi se do të mendohet për formatin e edicionit të ardhshëm, duke mos përjashtuar ndryshime strukturore.
Duka theksoi se ndryshimi i numrit të skuadrave është i pamundur për edicionin e ardhshëm për shkak të rregullave të FSHF-së, por se formatin e kampionatit duhet ta diskutojnë. Ai përmendi vështirësitë që kanë tifozëritë e rretheve për të udhëtuar në Tiranë si një faktor që duhet marrë parasysh: “Është e pamundur për edicionin e ardhshëm që të kemi një ndryshim të numrit të skuadrave, për shkak të rregullave të FSHF-së. Ndërsa për formatin, është diçka që ne duhet ta diskutojmë. Mesa duket, le të themi tifozëritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë në Tiranë,” – tha Duka.
Kreu i Federatës pranoi gjithashtu se pjesëmarrja në Final Four nuk ishte e kënaqshme dhe e lidh këtë me mungesën e dy klubeve të kryeqytetit, Partizanit dhe Tiranës. Ai deklaroi: “Pjesëmarrja në Final Four nuk ka qenë e kënaqshme, sigurisht e ka penalizuar mospjesëmarrja e Partizanit dhe Tiranës. Kështu që, për edicionin tjetër do të rishohim se çfarë formati do të kemi.”
Duka bëri të qartë se numri i skuadrave nuk do të ndryshohet për edicionin 2026/2027 dhe se janë të hapur për alternativa të ndryshme të formatit, pa specifikuar një zgjedhje të prerë: “Skuadra nuk do të shtohen në edicionin 2026/2027, nuk e di nëse do të luajnë katër faza apo do të ketë play off. Do i shohim të gjitha versionet dhe do të marrim një vendim, do e vendosim brenda 15 ditëve të para të qershorit,” – u shpreh Duka. Top Channel

