Festimet për fitoren historike të Paris Saint-Germain në finalen e Champions League kundër Arsenalit u shndërruan në trazira të dhunshme në disa qytete të Francës, duke shkaktuar një viktimë, disa të plagosur dhe qindra të arrestuar. Sipas mediave franceze, përleshje mes tifozëve dhe policisë u regjistruan në Paris, Rennes, Strasburg dhe Grenoble, ndërsa episode dhune u shënuan edhe në të paktën 15 qytete të tjera të vendit.
Autoritetet konfirmuan se një 23-vjeçar humbi jetën pasi u përplas me motor në një bllok betoni gjatë incidenteve. Një 17-vjeçar ndodhet në gjendje të rëndë në terapi intensive pas disa goditjesh me thikë pranë Champs-Élysées. Në një ngjarje tjetër, një automjet humbi kontrollin dhe u përplas me tarracën e një restoranti, duke plagosur dy persona, njëri prej tyre rëndë.
Në kryeqytet, grupe tifozësh dogjën automjete, vandalizuan dyqane dhe dëmtuan pronë publike. Një grup i vogël tentoi të sulmonte një komisariat policie, çka detyroi forcat e rendit të ndërhynin me masa të forta sigurie. Prokuroria e Parisit njoftoi se 277 persona janë vendosur në paraburgim, mes tyre edhe 82 të mitur. Shumica e arrestimeve lidhen me sulme ndaj policëve, vandalizëm, vjedhje dhe prishje të rendit publik.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, bëri të ditur se 57 efektivë policie janë plagosur gjatë incidentit. Raportimet mediatike dhe njoftimet zyrtare theksuan përhapjen e dhunës në më shumë qytete, me shkatërrime të pronës dhe ndërhyrje të forcave të sigurisë për të rivendosur rendin.
Ngjarjet pas ndeshjes sollën reagime të autoriteteve për kontroll dhe arrestime masive, ndërsa vazhdojnë hetimet për saktësimin e përgjegjësive dhe rrethanave të saktë të incidenteve që çuan në viktima dhe të plagosur. Burimi i materialit: Top Channel.

