Pas protestave të dhunshme në Zvërnec, Ministria e Jashtme e Greqisë është përfshirë në debatin publik, duke ngritur pretendime mbi shtrirjen e minoritetit grek në Shqipëri. Athina zyrtare deklaron se është e shqetësuar për episodin, gjatë të cilit mbeti i plagosur një shtetas grek; sipas autoriteteve greke, Ambasada e Greqisë në Tiranë ndërhyri menjëherë për t’i ofruar atij ndihmën konsullore dhe mjekësore. Greqia shfrytëzoi protestën e dhunshme të së shtunës për të pretenduar, për herë të parë, edhe ekzistencën e minoritetit grek në Zvërnec dhe i ka kërkuar autoriteteve shqiptare zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e përgjegjësve për incidentet.
Ministria e Jashtme greke thekson rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës, mbrojtjes së të drejtave pronësore dhe të drejtave të pjesëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri. Në deklaratë vihet theksi edhe te nevoja për mbrojtjen efektive të zonave të mbrojtura mjedisore, në përputhje me standardet dhe legjislacionin evropian, si pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në debatin publik është përfshirë edhe eurodeputeti i partisë në pushtet në Greqi, Fredi Beleri, i cili i ka dorëzuar një pyetje zyrtare Komisionit Evropian. Beleri shpreh se në fshatin Zvërnec të qarkut të Vlorës, ku jetojnë kryesisht anëtarë të Minoritetit Kombëtar Grek, një kompani private dyshohet se po ndërhyn dhe po zë toka e prona që ishin konfiskuar nga regjimi komunist në vitet 1960 dhe ende nuk u janë kthyer pronarëve të ligjshëm.
Në pyetjen drejtuar Komisionit Evropian, Beleri kërkon të dijë nëse Brukseli është në dijeni të këtyre denoncimeve, çfarë masash po merr për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe pronësore të pakicave kombëtare në vendet kandidate, si dhe nëse përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit duhet të lidhet me rezultate konkrete në mbrojtjen e pakicave dhe respektimin e shtetit të së drejtës. Top Channel.

