Policia arrestoi rojën private që u përplas me një protestues në Zvërnec një ditë më parë, ndërsa kompania që ka marrë përsipër projektin zhvillimor, “Zvërnec South Adriatic Development”, reagoi me një deklaratë publike. Kompania thotë se për sigurinë e zonës zhvillimore, pronë private, ishte kontraktuar një shoqëri sigurie e pajisur me lejet dhe licencat përkatëse dhe me përvojë. Megjithatë, pas shqyrtimit të materialeve mbi sjelljen e shoqërisë së sigurisë, kompania e konsideroi të papranueshme vazhdimin e marrëdhënies kontraktuale dhe e ndërpreu atë me efekt të menjëhershëm.
Në deklaratë kompania thekson se shoqëria e sigurisë nuk ka pasur instruksione nga përfaqësuesit e saj për të vepruar në kundërshtim me ligjin apo për të cenuar të drejtat e qytetarëve. Ajo vlerëson se ndërhyrja ndaj një qytetari që po protestonte jashtë kufirit të pronës dhe tërheqja e tij brenda për të ushtruar forcë është e papranueshme moralisht dhe e dënueshme penalisht. Për këtë arsye është marrë vendimi për ndërprerjen e kontratës me shoqërinë e sigurisë.
Kompania kërkon ndjesë për incidentin, i cilësuar si i panevojshëm, dhe u bën thirrje organeve kompetente që të kryejnë një hetim të plotë e të paanshëm dhe të ndëshkojnë personat përgjegjës sipas ligjit. “Zvërnec South Adriatic Development” deklaron se qëndron në dispozicion të plotë të autoriteteve dhe palëve të tjera të interesuara, me gatishmëri dhe transparencë të plotë.
Në reagim ripohon se marrëdhënia me komunitetin është thelbësore për investitorët dhe se do të shtojë përpjekjet për komunikim më të thellë me banorët e zonës në javët në vijim. Kompania shpreh keqardhje që incidenti po shfrytëzohet për të përhapur në rrjetet sociale pamje të fabrikuara të projektit, me qëllim nxitjen e idesë se zhvillimi do të shkatërrojë natyrën. Ajo nënvizon se vlera ndërkombëtare e projektit qëndron në përkushtimin për harmonizim me natyrën dhe mbrojtje të ekosistemeve të veçanta, dhe se projekti final do t’i prezantohet publikut në kohën e duhur si dëshmi të këtij angazhimi.

