Në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama njoftoi hapat e rinj në transformimin digjital të administratës publike, duke prezantuar një kompani të re publike, “Albanian Digital Solutions” (ADS), që sipas tij shënon një fazë të re të transformimit dixhital të shtetit shqiptar. Rama theksoi se pas ndërtimit të platformave dhe dixhitalizimit të mbi 1,200 shërbimeve publike, të ofruara tashmë përmes e-Albania nga celulari ose kompjuteri, vendi hyn në një etapë ku kapacitetet e reja teknologjike do të mundësojnë një transformim më të thellë të qeverisjes elektronike.
Sipas tij, ADS do të jetë një qendër ekselence për talentet shqiptare të teknologjisë, e dedikuar për të mbuluar nevojat publike dhe inovacionin në shërbimet publike dhe në qeverisje në të dyja nivelet. Kompania publike synon të prodhojë vazhdimisht zgjidhjet e nevojshme dhe të garantojë mirëmbajtjen e sistemeve shtetërore.
Rama raportoi gjithashtu për rritjen e aplikimeve në programet e inovacionit, duke përmendur se mbi 1,100 aplikime kanë ardhur vetëm në ciklin e fundit të granteve për programin “Startup Albania”. Ai interpretoi këtë si një tregues se vendi ka fituar terren gradualisht në hartën europiane dhe globale të inovacionit për sektorin publik, por theksoi nevojën për të vazhduar avancimin, veçanërisht në sektorin privat.
Një element të rëndësishëm të këtij procesi Rama e lidhi me ndarjen e AKSHI-t në dy pjesë. Ai sqaroi se AKSHI do të mbetet si drejtues, rregullator dhe monitorues i cilësisë, ndërsa “Albanian Digital Solutions” do të funksionojë si truri që prodhon zgjidhjet dhe siguron mirëmbajtjen. Ky skemë organizative, sipas Ramës, do të lehtësojë shfrytëzimin e kapaciteteve teknologjike në qeverisje dhe do të nxitojë realizimin e transformimit dixhital në administratën publike.

