Deputeti i Bundestagut gjerman nga grupi CDU/CSU, Peter Beyer, i është drejtuar me mesazh Kongresit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, duke shprehur pritshmëri të larta ndaj saj dhe duke theksuar rëndësinë e përqendrimit në procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Beyer përcolli se, megjithëse nuk mund të ishte fizikisht prezent për shkak të angazhimeve, ishte “me mendje dhe zemër” pranë delegatëve dhe vlerësoi rëndësinë e vendimeve që pritet të merren, përfshirë zgjedhjen e bordit, kryetarit dhe presidentit të ri të partisë. Ai tha se kishte ide për emra, por nuk i zbuloj.
Beyer theksoi se Shqipëria përballet me sfidën kryesore të rrugës drejt Bashkimit Europian. Përmendi se pas pak javësh do të zhvillohet në Mal të Zi samiti Bashkimi Europian–Ballkani Perëndimor, ku do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Shqipërisë, dhe shtoi se delegatët duhet t’i mbajnë nën vëzhgim këto zhvillime. Ai vuri në dukje se Partia Demokratike është aktualisht forca opozitare më me ndikim dhe më e rëndësishme në vend, dhe sipas tij pritshmëritë ndaj saj, nga Beyer personalisht, nga CDU-ja e Gjermanisë, nga Europa dhe pjesa tjetër e botës, janë shumë të larta.
Ai u bëri thirrje demokratëve që t’i marrin përgjegjësitë me seriozitet maksimal, pa lejuar konflikte ose konkurrencë të brendshme, dhe të përqendrohen në një qëllim të vetëm: integrimin në Bashkimin Europian. Beyer nënvizoi nevojën për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të ofruar një alternativë të vërtetë politike që të hapë rrugën drejt një të ardhmeje të begatë dhe të ndritur për Shqipërinë.
Në përfundim ai uroi kongresin për sukses, theksoi se Partia Demokratike i qëndron afër zemrës dhe përcolli përshëndetjet dhe urimet më të mira nga CDU-ja drejt Tiranës.

