Qeveria po përgatit një draft të ri për menaxhimin e mbetjeve inerte, në përgjigje të problemeve të hedhjes së pakontrolluar të dherave dhe mbetjeve nga ndërtimet në shumë zona të vendit. Projektaktit parashikon ngritjen e venddepozitimeve të posaçme në të gjithë Shqipërinë, si pika të përkohshme për grumbullimin e inertëve deri në ndërtimin dhe funksionalizimin e infrastrukturës rajonale për trajtimin përfundimtar të tyre.
Ministria e Mjedisit vlerëson se, në mungesë të infrastrukturës rajonale ose kur ajo nuk është ende plotësisht funksionale, depozitimi i pakontrolluar i mbetjeve inerte paraqet një problem të rëndësishëm mjedisor dhe urban. Sipas projektaktit, venddepozitimet e përkohshme do të operojnë përgjithësisht deri në tre vite, me mundësinë për të zgjatur këtë afat deri në dy vite shtesë në raste të veçanta, nëse landfillet rajonale nuk janë ende në funksion.
Një risi e propozuar është se hapësirat do të autorizohen nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, ndërsa sipërfaqja minimale e çdo venddepozitimi të jetë të paktën 5,000 metra katrorë. Dokumenti e koncepton venddepozitimin e përkohshëm si vendndodhje të autorizuara ku depozitimi kryhet në mënyrë të kufizuar në kohë dhe kapacitet dhe vetëm për mbetje inerte. Këto vende janë të menduara si infrastrukturë kalimtare brenda sistemit të menaxhimit të integruar të mbetjeve, që siguron trajtim të kontrolluar deri në vendosjen në funksion të landfillit përkatës.
Projektaktit i shtohen edhe objektiva të detyrueshme për riciklimin: synohet që të paktën 45% e mbetjeve të rikuperohen dhe të mos depozitohen përfundimisht. Ministria e Mjedisit thekson se ky projektvendim vjen pa kosto shtesë dhe se skema synon disiplinimin e tregut dhe afrim të standardeve kombëtare me praktikat e Bashkimit Europian.

