Fundjava shënoi një rritje të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinit, ku mijëra udhëtarë po kalojnë drejt Shqipërisë për të shfrytëzuar pushimet verore në bregdet. Sipas të dhënave të autoriteteve kufitare, gjatë 24 orëve të fundit mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë hyrë dhe dalë 26.921 shtetas me rreth 8.022 automjete. Nga këto, në territorin shqiptar kanë hyrë 14.564 shtetas me 4.233 automjete, ndërsa kanë dalë 12.357 shtetas me 3.899 automjete.
Destinacioni kryesor i udhëtarëve mbetet bregdeti shqiptar; shumë prej tyre kanë deklaruar se kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën ose pushimet e sezonit veror në vend. Përballë fluksit të lartë, Pika Kufitare e Morinit po funksionon me 12 sportele në hyrje dhe dalje për të përballuar volumet e shtuar të trafikimit.
Procedura e përshpejtuar të kontrollit, e zbatuar në bazë të marrëveshjes së lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka mundësuar shmangien e radhëve dhe kalimin e shpejtë të udhëtarëve, ndihmuar nga organizimi i punës në sportele. Autoritetet parashikojnë që fluksi të mbetet i lartë edhe ditët në vijim, duke qenë se sezoni turistik po hyn në kulmin e tij dhe numri i pushuesve drejt bregdetit shqiptar vijon të rritet.

