Pas një dekade të mbushur me trofe dhe suksese te Manchester City, largimi i Pep Guardiolës mbetet një nga temat më të diskutuara në futbollin europian. Trajneri katalanas nuk ka dhënë një shpjegim të detajuar për vendimin, por ish-lojtari i tij Tijjani Reijnders ka dhënë detaje nga një intervistë për mediat holandeze që hedhin dritë mbi arsyet që mund ta kenë shtyrë drejt këtij vendimi.
Reijnders rrëfeu se Guardiola i kishte shprehur skuadrës lodhjen emocionale të akumuluar gjatë viteve në krye të klubit. “Ai është një trajner shumë intensiv dhe një gjeni i futbollit. Më vjen keq që punova me të vetëm një sezon, por ishte vendimi i tij”, tha mesfushori holandez. Sipas tij, Guardiola kishte pranuar se pas dhjetë vitesh në krye të Manchester Cityt nuk kishte më energjinë e nevojshme për të përballuar presionin e përditshëm të menaxhimit të një skuadre të nivelit të lartë.
Reijnders citon fjalët e trajnerit se ai “nuk kishte më energji për t’u shpjeguar lojtarëve pse nuk ishin në formacion ose pse nuk luanin”, duke shtuar se pas një dekade kjo ishte bërë një barrë e mjaftueshme. Megjithatë, ai thekson se intensiteti i Guardiolës ka qenë gjithmonë një nga pikat e tij më të forta si trajner: “Kur them se është intensiv, e them në kuptimin më pozitiv. Ai përpiqet të nxjerrë maksimumin nga çdo futbollist.”
E ardhmja e Guardiolës mbetet e paqartë. Mediat ndërkombëtare kanë aluduar se ai mund të nisë një kapitull të ri të karrierës, me mundësinë për të marrë drejtimin e një përfaqësueseje kombëtare, dhe Anglia përmendet si një nga destinacionet e mundshme.
Pas dhjetë vitesh dominim në futbollin anglez dhe europian, Guardiola largohet nga Manchester City duke lënë pas një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit.

