Presidenti amerikan Donald Trump po zhvillon një mbledhje me bashkëpunëtorë të ngushtë në Shtëpinë e Bardhë, në dhomën e menaxhimit të krizave, ku diskutimi kryesor është një marrëveshje e mundshme me Iranin. Sipas burimeve, palët kanë arritur një kornizë paraprake mirëkuptimi, por as Uashingtoni dhe as Teherani nuk kanë dhënë ende miratimin përfundimtar. Pala iraniane ka kundërshtuar disa nga pretendimet që Trump publikoi mbi përmbajtjen e memorandumit të mirëkuptimit.
Në një postim më parë, Trump listoi disa kërkesa kryesore të SHBA-së ndaj Iranit. Ndër pikat e përmendura janë hapja e Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë dhe të sigurt, heqja e minave detare dhe garantimi i qarkullimit pa pengesa në rajon. Si kusht tjetër, ai kërkoi shkatërrimin e uraniumit të pasuruar iranian nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Trump gjithashtu theksoi se Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, duke e paraqitur këtë si një nga pikat kryesore të pozicionit amerikan në negociata.
Ai deklaroi po ashtu se SHBA-të synojnë të rimarrin uraniumin e pasuruar iranian, që sipas tij ndodhet në objekte nëntokësore të goditura më herët, dhe shtoi se vetëm SHBA dhe Kina kanë kapacitetin për ta nxjerrë atë. Sipas planit të propozuar nga Trump, ky material do të shkatërrohej nën mbikëqyrjen e IAEA-s.
Irani reagoi duke mohuar ekzistencën e këtyre kushteve në dokumentin e përmendur dhe, njëkohësisht, ka kërkuar lirimin e fondeve të ngrira që, sipas Teheranit, arrijnë rreth 12 miliardë dollarë. Bisedimet mbeten në një fazë të ndjeshme, me të dyja palët që vazhdojnë të paraqesin versione të ndryshme mbi përmbajtjen dhe detajet e marrëveshjes së mundshme.

