Një grua 50-vjeçare nga Vlora jeton prej vitesh me dhimbje dhe pasojat e një operacioni për heqjen e gurëve në tëmth, të kryer rreth 10 vjet më parë. Sipas familjarëve, pas asaj ndërhyrjeje nisën komplikacione serioze në zonën e barkut që me kalimin e kohës janë përkeqësuar. Ata pretendojnë se operacioni fillestar mund të ketë pasur mangësi, ndërsa aktualisht situata është bërë më kritike, pasi pacientja nuk pranohet për një ndërhyrje të re për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.
Djali i saj thotë se e ka çuar disa herë në urgjencë, por shpesh ajo trajtohet vetëm me serum dhe rikthehet në shtëpi. “E kam çuar disa herë në urgjencë, por e kthejnë në shtëpi. Gjendja i është përkeqësuar dhe nuk kemi më zgjidhje. Nuk dua që mamaja të më vdesë,” shprehet ai. Vetë 50-vjeçarja rrëfen se vuan çdo ditë nga dhimbjet dhe pasiguria, duke kërkuar vetëm një mundësi për t’u trajtuar: “Kam dhimbje të forta, më është hapur sërish plaga dhe gjendja po më përkeqësohet. Kam shkuar te mjekët, por më thonë se nuk mund të operohem. Nuk jetohet më kështu.”
Pas denoncimit të rastit, gazetarët e emisionit “Fiks Fare” iu drejtuan Spitalit Rajonal të Vlorës. Drejtoria e spitalit u vu në dijeni dhe kërkoi që pacientja të paraqitej urgjentisht; u vënë në dispozicion edhe një ambulancë që e transportoi nga banesa drejt spitalit për ekzaminime të mëtejshme. Familjarët konfirmuan më pas se zonja u shtrua për kontrolle mjekësore dhe vlerësim të gjendjes, dhe shprehen të shtangur e të shpresëplotë që të gjendet një zgjidhje për problemin shëndetësor të saj.

