Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të tensionuara pavarësisht armëpushimit që ka hyrë në javën e tetë, ndërsa paralajmërimet për rikthim në luftë shoqërojnë negociatat diplomatike. Presidenti amerikan Donald Trump tha se nuk është ende i kënaqur me kushtet e marrëveshjes që po negociohet me Teheranin dhe paralajmëroi se dështimi i Iranit për të bërë lëshime mund të sjellë rikthim të konfliktit ushtarak.
Tensionet u rritën pas akuzave iraniane për sulme të reja të SHBA-së, përfshirë një operacion në qytetin portual Bandar Abbas. Teherani reagoi duke paralajmëruar se “agresioni nuk do të mbetet pa përgjigje”, dhe Garda Revolucionare Islamike njoftoi se kishte shënjestruar një bazë ajrore amerikane. Komanda Qendrore Amerikane konfirmoi se një raketë balistike iraniane ishte interceptuar mbi Kuvajt.
BBC shkroi se të dyja palët duket se po përpiqen të shmangin një përshkallëzim të plotë ushtarak, ndryshe nga pesë javët intensive të konfliktit kur SHBA-ja dhe Izraeli kryen mijëra sulme ajrore ndaj objektivave iraniane, ndërsa Teherani u përgjigj me raketa dhe dronë kundër bazave amerikane dhe Izraelit.
Negociatat diplomatike vijojnë, kryesisht të ndërmjetësuara nga Pakistani dhe Omani. Media shtetërore iraniane publikoi detaje të një drafti jozyrtar me 14 pika, që përfshin kërkesa për heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane, tërheqjen e forcave amerikane nga rajoni dhe kontrollin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit nga Irani dhe Omani. Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë dokumentin duke e cilësuar “trillim të plotë”, ndërsa Trump deklaroi se Irani duhet të japë “atë që duhet të japë” për të shmangur rikthimin e luftës.
Në të njëjtën kohë, Departamenti Amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj “Autoritetit të Ngushticës së Gjirit Persik”, një strukture të krijuar nga Teherani për të menaxhuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit.
Analistët vlerësojnë se, pavarësisht retorikës dhe incidenteve të fundit, as Uashingtoni dhe as Teherani nuk duken të gatshëm për një luftë të re të plotë. Megjithatë, mosmarrëveshjet mbi programin bërthamor iranian, sanksionet ekonomike dhe kontrolli strategjik i Gjirit vazhdojnë ta mbajnë rajonin në tension të lartë.

