Bordi i Transparencës ndryshoi sërish çmimet e karburanteve, duke ulur me 3 lekë çmimin e naftës dhe me 5 lekë atë të benzinës. Në mbledhjen e datës 28 Maj 2026, bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil, standardi SSH EN 590, të mos jetë më shumë se 187 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë të jetë jo më shumë se 175 lekë/litër. Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë u vendos të jetë jo më shumë se 174 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 162 lekë/litër.
Vendimi është bërë efektiv të njëjtën ditë, 28 Maj 2026, në orën 14:00, dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e mundshme të çmimeve të shitjes. Bordi i Transparencës tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara, parashikohet pezullimi i aktivitetit të operatorëve të ndryshëm.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, bashkë me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklarohen të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe për ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
Sqarim lidhur me Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’”: në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër, ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, aplikohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura nga bordi rezultojnë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%.

