Maqedonia e Veriut pritet të finalizojë këtë javë draftin e vendimit që do t’u mundësojë studentëve shqiptarë të zhvillojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Lajmin e bëri të ditur Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, i cili tha se po shqyrtohet edhe mundësia që propozimi të dërgohet për opinion në Komisionin e Venecias. Sipas tij, drafti përfundimtar mund të miratohet brenda javës dhe më pas do të vendoset nëse modeli i propozuar duhet të kalojë përmes vlerësimit të Komisionit të Venecias. “Gjatë kësaj jave duhet të miratohet drafti përfundimtar dhe më pas të vendoset nëse do të dërgohet në Komisionin e Venecias. Është krejtësisht e parëndësishme nëse do të nevojitet edhe një muaj shtesë për procedurat, rëndësi ka që zgjidhja të jetë funksionale”, u shpreh ai për TV21.
Kërkesa për të drejtën e provimit në gjuhën shqipe vjen pas dy protestave të studentëve shqiptarë para Ministrisë së Drejtësisë në Shkup, të shoqëruara me reagime të shumta në opinionin publik dhe me mbështetje nga Shqipëria dhe Kosova. Në Tiranë u organizua një protestë simbolike nga studentë shqiptarë, të cilët marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut. Me pankarta ku shkruhej “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve” dhe “Jemi bashkë”, protestuesit shprehën solidaritet me studentët shqiptarë në Shkup; protesta u shoqërua me këngë patriotike dhe thirrje mbështetëse për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sali bëri të ditur se çështja nuk lidhet vetëm me provimin e jurisprudencës, por me një problem më të gjerë që prek dhjetëra provime profesionale në vend. Institucionet kanë identifikuar më shumë se 40 prova të ndryshme profesionale ku duhet të gjendet një zgjidhje për përdorimin e gjuhës shqipe. Autoritetet theksuan se nuk po përgatitet një ligj i ri, por ndryshime në legjislacionin ekzistues, në mënyrë që zgjidhja të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

