Në episodin e parë investigues u zbulua se Daniel Shima, pas largimit nga AKSHI, themeloi disa biznese përmes të cilave pretendonte të riciklonte para me burim të dyshuar korrupsionin. Hulumtimi vijues nxjerr në pah lidhje ndërmjet Shimas dhe partnerëve në investime luksoze, ku nyja lidhëse është kompania Digital Euphoria, e zotëruar nga Shima dhe operative në sektorin e marketingut. Klientët kryesorë të kësaj kompanie rezultojnë të jenë Fab Construction, Alu Glass, Magnus, D’Amir, Shega Trans dhe Bliss Recruiting Company.
Megjithë faktin që faturimet duken të rregullta ligjërisht dhe se sektori i marketingut vështirë matet konkretisht, lidhjet konsoliduese me Shimën ngrejnë dyshime se raportet financiare janë krijuar për të ekzistuar vetëm në letër si formë pastrimi të parave nga tenderat e AKSHI-t. Sipas ekspertit të ekonomisë Ergis Sefa, bëhet fjalë për një skemë të sofistikuar dhe institucione shtetërore duhet të veprojnë shpejt dhe me aftësi për ta zbuluar, përndryshe transaksionet mund të “mbulojnë” ato problematike.
Nga analizat rezulton se 99.6% e të ardhurave të Digital Euphoria vijnë nga Shega Trans, Alu Glass dhe Fab Construction, në total 24.3 milionë lekë (rreth 250 mijë euro). Shega Trans paguan 1.2 milionë lekë çdo muaj, total 12 milionë lekë. Alu Glass, nën kontrollin e Sokol Parllakut—mik dhe ish-ortak i nënës së Shimës në Premium Glass—ka pagesa fikse mujore prej 8.6 milionë lekësh, ndërsa Fab Construction ka arkëtime totale 3.7 milionë lekësh. Sefa thekson se pagesat e rregullta dhe konstante ngrejnë dyshime për dhënie fiktive shërbimesh.
Fab Construction lidhet me projektin hotelier luksoz “Radisson Individual Premium Borsh” me vlerë të deklaruar rreth 27 milionë euro. Formalisht emri i Shimës nuk del, por raportet financiare mes Fab Construction dhe kompanive të Shimas tregojnë lidhje. Persona të përfshirë në punimet e hotelit në Jug kanë raportuar të kenë parë Shimën duke inspektuar punimet më 20 gusht 2025, datë kur u raportua edhe pengmarrja e supozuar e tij.
Sipas dëshmisë së ish-kreut të Komisionit të Prokurimeve që ka rrjedhur në media, emrat e operatorëve për ofertat i merrnin nga Shima dhe përgjigjet vinin së bashku, duke sugjeruar fiktivizim të operatorëve. Skema filloi me blerjen e trojeve nga dy kompani dhe vijoi me angazhimin e subjekteve për lejet dhe punimet. Siç vë në dukje Sefa, ndërtimi mbetet një nga motorët kryesorë për pastrimin e parave, i dokumentuar edhe në raporte të Moneyval-it.

