Mirlinda Karçanaj ka dhënë sqarime ndaj dosjes hetimore dhe gjetjeve të prokurorisë lidhur me vendimin e sekuestros së pronave, ku përfshihen apartamente dhe një Volkswagen Tiguan. Ajo deklaroi se nuk ka para të fshehura, aktualisht jeton me qira, ndersa deri në fund të vitit 2024 jetonte në banesën e lindjes, një apartament që sipas saj është 64-vjeçar dhe i përket kohës së Enverit. Karçanaj saktësoi se pronat e saj “nuk kanë lidhje me titujt bombastikë”, se zotëron një apartament 1+1 në Qerret 60 m2 të cilin e ka babai i fëmijëve të saj, dhe se nuk ka makinën personale; automjeti i përmendur, një Volkswagen Tiguan 2016, u blen para 10 vitesh dhe përdoret nga babai i fëmijëve, gjithashtu i deklaruar, tha ajo në emisionin Top Story.
Në vendimin e sekuestros, prokuroria përmend raporte financiare konkrete midis dy ish-titullarëve të AKSHI-t, të cilat nxjerrin në pah edhe rolin e shtetasit Daniel Shima. Dosja hetimore citon gjurmë të tij në raportet kontraktuale dhe pagesat e dyshimta. Prokuroria shprehet se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Karçanaj ka përfituar indirekt nga Daniel Shima shumën prej 200,000 euro, nëpërmjet Arjola Koromani, dhe në disa raste ka marrë kuti vere të mbushura me kartëmonedha euro.
Për shkak të këtyre të dhënave dhe informacioneve të tjera, Daniel Shima u regjistrua gjithashtu si person nën hetim dhe akuzohet për “grup kriminal”, “kryerja e veprave në kuadër të organizatave kriminale”, shkelje të barazisë në tendera dhe korrupsion. Në vendimin e referuar vërehet se ndaj tij nuk është caktuar masë sigurimi personale, asnjë masë ndaj pasurive të tij megjithëse në dosje përmenden miliona euro.
Avokati Ermal Hamataj shprehu dyshime se mungesa e masave ndaj Shimës mund të tregojë për bashkëpunim me organet e akuzës, duke sqaruar se bashkëpunëtorët e drejtësisë shpesh përfitojnë lehtësime si mosvendosja e masave. Avokati Arber Hoxha theksoi se Prokuroria e Posaçme ka vendosur më parë masa sigurimi ndaj personave kur ka pasur rrezik që ata të shmangin përgjegjësinë, të intimidonin dëshmitarët ose të cenuanin marrjen e provave, por se caktimi i masave nuk është i domosdoshëm për çdo i pandehur.

