Një ngjarje e rëndë u regjistrua në Arizona, SHBA, ku një grua 38-vjeçare dyshohet se qëlloi burrin e saj dhe një grua tjetër në një bar, përpara se të kthehej në shtëpi dhe të vritej së bashku me dy fëmijët e saj. Sipas New York Post, zonja identifikohet si Andrea Clarice Davis, 38 vjeçe. Ajo shkoi në një bar ku ndodhej bashkëshorti i saj, Nolan Davis, 39 vjeç, së bashku me një grua 36-vjeçare, dhe hapi zjarr ndaj tyre. Gruaja 36-vjeçare u plagos në pjesën e pasme të kokës teksa po hipte në automjet për t’u larguar dhe u dërgua në spital; autoritetet thanë se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas të shtënave, Andrea ktheu në banesë dhe i dërgoi bashkëshortit një mesazh ku e paralajmëronte se do t’u bënte keq fëmijëve. Autoritetet raportuan gjithashtu se ajo i kishte dërguar një fotografi të njërit prej fëmijëve të mbuluar me gjak. Burri njoftoi menjëherë policinë, dhe oficerët që ndodheshin pranë barit u nisën drejt banesës së familjes në Phoenix. Kur hynë në shtëpi, ata gjetën trupat e pajetë të Andreas dhe dy fëmijëve të saj: Austin, 10 vjeç, dhe Andolan, 18-muajsh. Zëdhënësi i policisë, Jose Santiago, deklaroi: “Duke e ditur që ishte një situatë serioze, oficerët hynë menjëherë dhe panë këtë skenë të tmerrshme.”
Policia nuk ka sqaruar ende natyrën e marrëdhënies midis Nolan Davis dhe gruas së plagosur, por konfirmoi se ata njiheshin me njëri-tjetrin. Hetuesit po përpiqen të zbardhin plotësisht motivet dhe dinamikën e tragjedisë. Të shtënat në bar po hetohen nga policia e Glendale, ndërsa ngjarja në banesë po hetohet nga autoritetet e Phoenix.
Një shoqe e ngushtë e Andreas, Amy Bowers, tha se 38-vjeçarja ishte e bindur se bashkëshorti po e tradhtonte me një kolege dhe kjo situatë e kishte rënduar emocionalisht prej kohësh. Bowers theksoi se Andrea “kishte kërkuar ndihmë” dhe ndihej e humbur, duke shprehur shqetësim për të ardhmen e fëmijëve nëse bashkëshorti do ta linte. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar saktësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjeve.

