Një ngjarje e rëndë ndodhi në Arizona, SHBA, ku një grua 38-vjeçare dyshohet se qëlloi bashkëshortin e saj dhe një grua tjetër në një bar, më pas vrau dy fëmijët e saj dhe vetëvrau. Sipas New York Post, e dyshuara është Andrea Clarice Davis, 38 vjeçe. Ajo shkoi në një bar ku ndodheshin bashkëshorti i saj, Nolan Davis, 39 vjeç, dhe një grua 36-vjeçare, dhe hapi zjarr ndaj tyre. Gruaja 36-vjeçare u plagos në pjesën e pasme të kokës teksa po hipte në automjet për t’u larguar nga vendngjarja.
Pas të shtënave, Andrea u kthye në shtëpi dhe i dërgoi bashkëshortit një mesazh duke e paralajmëruar se do t’u bënte keq fëmijëve të tyre. Autoritetet thanë se ajo i dërgoi edhe një fotografi të njërit prej fëmijëve të mbuluar me gjak. Burri njoftoi menjëherë policinë. Oficerë që ndodheshin pranë barit u nisën drejt banesës së familjes në Phoenix dhe, kur hynë, gjetën trupat e pajetë të Andreas dhe dy fëmijëve të saj: Austin, 10 vjeç, dhe Andolan, 18 muajsh.
Zëdhënësi i policisë, Jose Santiago, deklaroi se oficerët hynë menjëherë duke e ditur se ishte një situatë serioze dhe panë skenën e tmerrshme. Gruaja e plagosur në bar u transportua në spital dhe autoritetet raportuan se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia nuk ka sqaruar ende natyrën e marrëdhënies midis Nolan Davis dhe gruas së plagosur, por konfirmoi se ata njiheshin me njëri-tjetrin. Hetuesit po përpiqen të zbardhin motivet dhe dinamikën e tragjedisë. Të shtënat që ndodhën në bar po hetohen nga policia e Glendale, ndërsa ngjarja në banesë po hetohet nga autoritetet e Phoenix.
Një shoqe e ngushtë e Andreas, Amy Bowers, tha se 38-vjeçarja ishte e bindur se bashkëshorti po e tradhtonte me një kolege pune dhe se kjo situatë e kishte rënduar emocionalisht prej kohësh. Bowers shtoi se Andrea kërkonte ndihmë dhe ndihej e humbur, duke qenë e shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve në rast se bashkëshorti do ta linte.

