Rusia miratoi një ligj që i lejon bankës së saj qendrore dhe institucioneve të tjera financiare të mirëmbajnë sistemet e tyre të mbrojtjes dhe të pajisin stafin për të zmbrapsur sulmet me dronë, sipas një dokumenti të publikuar nga dhoma e ulët e parlamentit rus. Vendimi lejon instalimin e sistemeve mbrojtëse nga dronë pranë degëve të përmendura dhe autorizon stafin e këtyre institucioneve të mbajë armë.
Lajmi vjen pas një sulmi me raketë ndaj degës së bankës qendrore në Sevastopol të Krimesë, të cilin guvernatori lokal Mikhail Razvozayev e përshkroi si një goditje me raketë Storm Shadow të prodhuar në Britani. Ai raportoi se ndërtesa u përfshi nga flakët. Autoritetet ruse po e konsiderojnë këtë incident si sulmin e parë ndaj një dege të bankës qendrore që nga fillimi i luftës.
Ligji parashikon mundësinë e instalimit të sistemeve mbrojtëse jo vetëm pranë bankës qendrore, por edhe pranë Sberbank, banka më e madhe ruse, dhe pranë Unionit Rus të Kompanive të Transferimit të Parave. Sipas Anatoly Akshatov, kreu i Komitetit të Financave të Dumës Shtetërore, këto institucione do të mbulojnë vetë kostot e mbrojtjes së tyre kundër sulmeve me dronë, njofton agjencia e lajmeve RBC.
Nuk ka pasur raportime për sulme ndaj zyra kryesore të Sberbank që nga incidenti në Sevastopol. Ndërkohë, përfaqësues të biznesit rus kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në mbrojtje të infrastrukturës së tyre. Alexander Shokhin, kreu i lobit më të fuqishëm të biznesit në Rusi, i tha Presidentit Vladimir Putin se kompanitë janë të gatshme të financojnë blerjen e armëve të rënda dhe sistemeve elektronike për të mbrojtur infrastrukturën nga sulmet me dronë.
Sipas dokumentit të dhomës së ulët, ndryshimet ligjore rregullojnë mënyrën se si institucionet financiare mund të pajisin dhe financojnë masat e tyre mbrojtëse dhe të lejojnë stafin të mbajë armë për qëllimin e mbrojtjes nga sulmet me dronë. Top Channel

