Bordi i Transparencës, në mbledhjen e datës 27 Maj 2026, vendosi kufizime të çmimeve për nënproduktet e naftës. Çmimi i shitjes me pakicë për nënproduktin gazoil të standardit SSH EN 590 u vendos jo më shumë se 190 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 178 lekë/litër. Për nënproduktin benzinë, çmimi i shitjes me pakicë u vendos jo më shumë se 179 lekë/litër dhe çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi hyjnë në fuqi më datë 27 në orën 13:30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. Bordi tërheq vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin për zbatimin e këtij vendimi. Në rast të konstaktimit të shkeljeve nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për të mbrojtur interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe për ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg. Vendimi i Bordit përfshin edhe një sqarim në lidhje me Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, që ndryshon ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”. Sipas këtij akti normative, në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litër ose për benzinën më i lartë se 200 lekë/litër, zbatohet niveli 80% i akcizës.
Bordi njofton se, bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet e vendosura janë nën kufirin e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3.4.2026; për rrjedhojë, niveli i akcizës do të zbatohet në masën e plotë, 100%.

