Aktori amerikan Tom Hanks rikthehet me dokumentarin televiziv “World War II with Tom Hanks”, një seri 20 episodëshe që synon të tregojë historinë e Luftës së Dytë Botërore për publikun modern. Seria nis me Hanks përpara kamerës, i cili e përshkruan luftën si “ngjarjen më të madhe në historinë njerëzore” dhe thekson se asnjë cep i globit nuk mbeti i paprekur nga konflikti.
Projekti është krahasuar me dokumentarin e vitit 1973, The World at War, i konsideruar si një nga realizimet më të rëndësishme televizive mbi luftën. Megjithatë, kritikët vënë në pah se seria e re nuk arrin të krijojë të njëjtën ndjesi epike dhe emocionale. Një arsye kryesore lidhet me ndryshimin e burimeve: ndryshe nga The World at War, që bazohej shumë në dëshmitë e veteranëve dhe të atyre që përjetuan luftën, dokumentari i ri niset kryesisht nga analiza të historianëve, akademikëve dhe komentatorëve bashkëkohorë.
Kritika shton se përdorimi i vazhdueshëm i “talking heads” – ekspertë që komentojnë mes pamjeve arkivore – krijon një ritëm monoton dhe shpesh përsërit informacionin që sapo është paraqitur nga narracioni. Përkundër kësaj, seriali vlerësohet për përdorimin e materialeve të rralla arkivore, përfshirë pamje të sapozbuluara nga frontet e luftës. Shfaqen regjistrime historike nga ushtritë britanike, sovjetike dhe gjermane, duke ofruar një panoramë të gjerë të konfliktit nga këndvështrime të ndryshme.
Një tjetër element i veçantë i dokumentarit është paraqitja paralel e propagandës mediatike të kohës, që tregon mënyrën se si secila palë raportonte të njëjtat ngjarje për publikun e saj. Megjithëse seriali nuk sjell interpretime revolucionare apo analiza të thelluara historike, ai shihet si një hyrje e përshtatshme për brezat e rinj që nuk njohin më parë historinë e Luftës së Dytë Botërore.
Sipas kritikëve, problemi kryesor mbetet madhësia e temës: edhe 20 episode nuk mjaftojnë për të përfshirë kompleksitetin e një lufte që ndryshoi historinë moderne. Pavarësisht kritikave, “World War II with Tom Hanks” konsiderohet një përpjekje e rëndësishme për të rikthyer interesin ndaj historisë në epokën moderne të transmetimeve televizive dhe platformave streaming.

