Kastriot Cenko, 42 vjeç, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Alba Cenko, në Ampelokipi në nëntor 2024, kërkoi falje para Gjykatës së Përzier me Juri dhe pretendoi se kishte humbur kontrollin pas debateve të vazhdueshme familjare. Gjatë dëshmisë ai foli për probleme që, sipas tij, kishin vite që ekzistonin në marrëdhënie dhe pretendoi se gruaja kishte një lidhje jashtëmartesore me një mik të tij të fëmijërisë. “E doja shumë. Nuk doja ta besoja çfarë po ndodhte”, u shpreh ai para trupit gjykues.
Sipas Cenkos, situata u përshkallëzua kur Alba i tha se do të largohej nga shtëpia duke marrë fëmijët dhe se fëmija më i vogël nuk ishte i tij. “Në atë moment u çmenda. E gjithë jeta ime ishin fëmijët e mi”, deklaroi ai, duke pranuar se e kishte goditur me çekiç. Ai tha se më pas kishte tentuar t’i jepte ndihmën e parë, por pa rezultat. Më vonë, sipas dëshmisë, e mbështolli trupin dhe fillimisht e fshehu në një dollap të apartamentit, ndërsa më pas e transferoi në papafingo.
Të nesërmen Cenko çoi fëmijët në shkollë dhe shkoi në punë, duke i thënë kolegëve se gruaja ishte larguar nga shtëpia. Kryetarja e trupit gjykues ngriti dyshime ndaj pretendimeve të të akuzuarit, duke vënë në dukje se trupi ishte mbështjellë me shumë shtresa qesesh, çka, sipas saj, binte ndesh me deklaratën se ai nuk kishte dashur të fshihte krimin. Cenko mohoi se kishte planifikuar të zhdukej apo të fshihte ngjarjen: “Nëse doja të zhdukesha, mund ta kisha bërë. Nuk kam menduar kurrë të fshihesha”, tha ai, duke pohuar se qëllimi ishte të mbronte fëmijët nga pamja e trupit në banesë.
Sipas dosjes hetimore, i pandehuri ishte personi që njoftoi autoritetet, rrëfeu krimin dhe tregoi vendin ku kishte fshehur trupin dhe çekiçin e përdorur. Gjykimi për ngjarjen vijon.

