Ekspertët paralajmërojnë se popullsia e Tokës mund të përgjysmohet deri në vitin 2064 si pasojë e krizave globale si ndryshimet klimatike, pandemitë, konfliktet dhe mungesa e burimeve. Një studim i publikuar në revistën shkencore Chaos, Solitons & Fractals nga studiues të Universitetit të Milanit analizoi rritjen e popullsisë gjatë 12 mijë viteve të fundit dhe ndërtuar një model matematikor për të shqyrtuar ndikimet e mundshme të krizave të mëdha mjedisore në të ardhmen. Autorët theksojnë se rezultati nuk përbën një parashikim të sigurt, por një “skenar matematik shpjegues” që ilustron sa e ndjeshme mund të jetë popullsia ndaj ndryshimeve të papritura.
Sipas skenarit më ekstrem të modelit, popullsia globale, aktualisht rreth 8.3 miliardë banorë, mund të bjerë ndjeshëm brenda 40 viteve të ardhshme. Studiuesit paralajmërojnë se, në rast të një kolapsi të madh mjedisor, Toka mund të mbështesë vetëm rreth 2 milionë njerëz. Studimi rikthen në vëmendje edhe teorinë e njohur të “Ditës së Kiametit”, e cila në vitet 1960 parashikonte një kolaps të popullsisë globale, një skenar që sipas ekspertëve u shmang falë rënies së normave të fertilitetit në mbarë botën.
Raporti citon gjithashtu një studim tjetër sipas të cilit çdo grua duhet të lindë mesatarisht 2.7 fëmijë për të shmangur rënien drastike të popullsisë; ndërkohë, normat e lindjeve po shënojnë rënie në shumë vende. Kjo ulje e fertilitetit ka ngjallur shqetësime të ndryshme dhe është përmendur në diskutime publike, përfshirë paralajmërimet e investitorit dhe sipërmarrësit Elon Musk, i cili ka vënë në dukje se rënia e lindshmërisë mund të çojë në tkurrje të fuqisë punëtore dhe probleme ekonomike e sociale në të ardhmen.
Lajmi është transmetuar nga Top Channel.

