Një seri mesazhesh tronditëse, të dorëzuara në Gjykatën e Tiranës dhe më pas në SPAK, hedhin akuza të rënda ndaj ish-gjyqtarit Alaudin Malaj, për skema të dyshuara pastrimi parash në Kosovë përmes ish-bashkëshortes së tij.
Në bisedat e siguruara, që sipas pretendimeve janë komunikime direkte mes Alaudin Malajt dhe ish-bashkëshortes Edlira Malaj, kjo e fundit shpërthen me tone agresive, duke e akuzuar hapur se e ka përdorur si fasadë për lëvizjen dhe pastrimin e parave.
Sipas materialit të depozituar, kompania “Merlbrand” është krijuar në Kosovë në emër të Edlira Malajt, ndërsa pretendohet se përmes saj janë qarkulluar rreth 300 mijë euro me origjinë të dyshimtë. Po sipas pretendimeve, paratë transferoheshin më pas drejt Austrisë, tek djali i tyre, Rigersi.
Në mesazhet e dorëzuara si provë, ish-bashkëshortja i drejtohet Alaudin Malajt me akuza direkte:
“Vazhdo pastro parate…”
dhe më tej:
“Te perdor per punet e veta…”
Një tjetër mesazh përmban paralajmërim të hapur:
“Prit policine…”
Ndërsa komunikimet përshkruhen nga denoncuesi si prova që tregojnë konfliktin e brendshëm mes çiftit për çështje që lidhen me para, transferta dhe aktivitete të dyshuara financiare.
Sipas pretendimeve të paraqitura, dokumentet bankare, komunikimet dhe të dhënat e kompanisë janë dorëzuar në SPAK, ndërsa informacionet thuhet se janë përcjellë edhe tek autoritetet në Kosovë.
Deri në një reagim zyrtar nga SPAK, autoritetet kosovare apo vetë ish-gjyqtari Alaudin Malaj, këto mbeten akuza dhe pretendime të paraqitura në materialet e depozituara pranë organeve të drejtësisë.

