Republika Demokratike e Kongos do të marrë pjesë në Botërorin e kësaj vere pavarësisht epidemisë së Ebolas që ka prekur vendin, njoftoi Federata e Futbollit e vendit (FECOFA) pas një takimi midis presidentit Véron Mosengo-Omba dhe drejtuesve të FIFA. Pas anulimit të grumbullimit në Kinshasa, kombëtarja po stërvitet në Belgjikë dhe ka marrë të gjitha masat për të respektuar protokollin shëndetësor të kërkuar nga qeveria amerikane. FECOFA theksoi se të gjithë futbollistët e grumbulluar dhe pjesa më e madhe e stafit teknik jetojnë dhe luajnë në Evropë, fakt që sipas institucionit e bën rrezikun e marrjes së virusit praktikisht zero. Anëtarët e stafit teknik që udhëtuan nga Kinshasa për në Belgjikë kanë lënë vendin më 20 maj dhe do të qëndrojnë të paktën 21 ditë në Evropë para se të udhëtojnë drejt SHBA-së. Në bisedimet me FIFA-në u trajtua edhe situata e tifozëve që kanë blerë bileta për ndeshjet e kombëtares por nuk janë pajisur me viza për shkak të masave administrative amerikane; FIFA premtoi të shqyrtojë propozimin për rimbursimin e tyre.

