Strukturat për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”, i cili goditi një skemë mashtrimi kompjuterik që përdorte faqe të falsifikuara të Postës Shqiptare. Hetimet zbuluan se shtetas të huaj kishin krijuar faqe që imitonin faqen zyrtare dhe përmes dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve për përfitim të paligjshëm nga llogaritë e tyre bankare. Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Gjatë veprimeve u sekuestruan pajisje të ndryshme të komunikimit dhe elementë që dyshohen se lidhen me aktivitetin kriminal, përfshirë celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente dhe sende të tjera. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia e Shtetit u ka rekomanduar qytetarëve masa parandaluese konkrete: të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale; të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare; të mos japin numra kartash bankare, kode sigurie apo fjalëkalime në faqe të paverifikuara; dhe të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit çdo rast të dyshuar mashtrimi online.
Sipas policisë, në rastet e mëparshme disa shtetas kanë rënë viktimë të kësaj skeme mashtrimi dhe kanë pësuar humbje monetare për shkak të vendosjes së të dhënave të tyre bankare në faqet e falsifikuara. Policia e Shtetit deklaron se mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet online.

