Arrestimi i të dyshuarit shqiptar për trafik droge, Ervin Mata, më 26 prill pranë São Paulos, riktheu vëmendjen mbi rolin në rritje të grupeve kriminale ballkanike në trafikun ndërkombëtar të kokainës në Amerikën Latine, sipas një analize të Insight Crime. Mata dyshohet të ketë shërbyer si urë lidhëse mes furnitorëve të Amerikës së Jugut dhe blerësve evropianë për një organizatë ballkanike që koordinonte dërgesa kokaine nga Brazili drejt Europës përmes porteve në Spanjë dhe Gjermani.
Raporti përmend trafikantë nga Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi si aktorë kyç në trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave në rajon. Ndryshe nga kartelët tradicionalë latino-amerikanë, grupet ballkanike, thuhet, nuk synojnë kontroll territorial, por janë integruar në hallka të ndryshme të zinxhirit, duke menaxhuar rrugët, logjistikën dhe marrëdhëniet mes prodhuesve në Amerikën e Jugut dhe tregjeve në Europë.
Analiza përshkruan funksionimin e tyre kryesisht përmes rrjeteve familjare dhe aleancave të biznesit, me dërgimin e emisarëve në vende si Kolumbia, Ekuadori dhe Brazili për të negociuar blerjet dhe bashkëpunuar me grupet lokale. Autoritetet shqiptare dyshojnë se Mata ishte një prej këtyre emisarëve. Një tjetër emër i përmendur është Dritan Rexhepi, i lidhur me rrjetin “Kompania Bello” prej 14 familjesh kriminale; Rexhepi u arrestua në Ekuador në 2014 me një ngarkesë kokaine, vijoi të koordinonte trafikun nga burgu deri në lirimin e tij në 2021, u arrestua sërish në Turqi në 2023 dhe po përballet me gjyq në Shqipëri.
Analiza përmend edhe “Klani Farruku”, i dyshuar për koordinim të trafikut mes Ekuadorit dhe Spanjës; një emisar i tij, Ergys Dashi, u vra në Guayaquil në 2022 pas sekuestrimit në Spanjë të dy tonëve kokainë. Ndër trafikantët e pavarur, përshkruhet Dritan Gjika, i cili u zhvendos në Ekuador, dyshohet të ketë përdorur kompani eksporti për të fshehur ngarkesa dhe u arrestua në Abu Dhabi në qershor 2025, ku pritet ekstradimi në Ekuador.
Përveç trafikut, raporti evidenton pastrimin e parave: Gjika dyshohet të ketë pastruar mbi 31 milionë dollarë në Ekuador mes 2015-2024; Departamenti Amerikan i Thesarit në 2025 vendosi sanksione ndaj 27 personave dhe kompanive të lidhura me një skemë pastrimi në Meksikë të lidhur me familjen Hysa, që, sipas tij, bashkëpunonte me Kartelin Sinaloa. Raporti përmend gjithashtu serbin Jezdimir Srdan, i dënua me 10 vjet burg në 2024 për pastrim parash.

