Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shpalli gjendje të jashtëzakonshme ndërsa ekipet e emergjencës përpiqen të përmbajnë një incident kimik të rrezikshëm në qarkun Orange, ku mijëra banorë janë urdhëruar të evakuohen. Incidenti ndodhi në një strukturë prodhimi në Garden Grove, ku një rezervuar që përmbante rreth 7,000 gallonë metil metakrilat ishte në rrezik shpërthimi ose rrjedhjeje. Metil metakrilati përmendet si një substancë shumë e ndezshme dhe toksike, e përdorur në prodhimin e plastikës.
Ekipet e emergjencës po spërkasin vazhdimisht rezervuarin me ujë për të ulur temperaturën dhe për të stabilizuar presionin e brendshëm, ndërsa autoritetet thanë se një valvul e dëmtuar ka vështirësuar operacionin dhe ka shtuar rrezikun. Për të parandaluar përhapjen e kimikateve në rast rrjedhjeje, autoritetet lokale po ndërtojnë diga dhe barriera mbrojtëse përreth objektit, me synim të pengojnë që substancat të arrijnë kanalet e ujërave të shiut ose oqeanin.
Operacionet emergjente kanë sjellë masa të tjera të sigurimit të zonës: shkollat lokale janë mbyllur dhe disa rrugë kryesore janë bllokuar për të kufizuar qarkullimin dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të emergjencës. Objekti ku ndodhi incidenti është rreth 8 kilometra nga Disneyland; parku i argëtimit mbetet jashtë zonës së evakuimit dhe vazhdon të funksionojë normalisht sipas raportimit.
Zyrtarja e shëndetit publik, Regina Chinsio-Kwong, u bëri thirrje banorëve të raportojnë çdo “erë të fortë” që mund të sinjalizojë praninë e avujve toksikë. Ajo paralajmëroi se ekspozimi ndaj substancës mund të shkaktojë probleme me frymëmarrjen, irritim të syve dhe marramendje. Autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës vijojnë punën për të stabilizuar rezervuarin dhe për të minimizuar rreziqet për banorët dhe mjedisin, ndërsa situata mbetet e monitoruar nga zyrtarët përgjegjës.

