Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se mund të ketë më shumë deklarata për Iranin më vonë gjatë ditës, duke shtuar se është arritur “përparim i rëndësishëm”. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Indisë në New Delhi, ai përsëriti se synimi i SHBA-së është që Irani “të mos ketë kurrë një armë bërthamore”, dhe theksoi: “Irani nuk mund të zotërojë kurrë një armë bërthamore. Presidenti ka qenë i qartë për këtë.”
Rubio dënoi kërcënimet e Iranit për të shkatërruar anije në Ngushticën e Hormuzit, duke i cilësuar si të paligjshme dhe duke paralajmëruar se tolerimi i tyre do të krijonte “një precedent të rrezikshëm”. Ai tha se Ngushtica është “një rrugë ujore ndërkombëtare” dhe se kërcënimet për të shkatërruar anije tregtare që e përdorin janë të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.
Agjencia e lajmeve pranë qeverisë iraniane, Tasnim News Agency, raportoi se Irani “nuk ka pranuar asnjë veprim në fushën bërthamore në këtë fazë aktuale”. Tasnim shkroi në platformën X se Irani nuk ka rënë dakord për asnjë masë të re lidhur me programin e tij bërthamor si pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund konfliktit me Shtetet e Bashkuara.
Sipas kushteve të një marrëveshjeje të mundshme që po negocionohet përmes ndërmjetësve, parashikohet një periudhë 30-ditore për zbatimin e masave që lidhen me bllokadën detare dhe Ngushticën e Hormuzit, ndërsa do të ketë një periudhë 60-ditore për negociatat mbi çështjen bërthamore. Në një raport të veçantë në Telegram, media tha se Ngushtica “nuk do të rikthehet në gjendjen që kishte para luftës”. Tasnim theksoi se Irani do të vazhdojë të ushtrojë sovranitet mbi Ngushticën “përmes mënyrave të ndryshme, detajet e të cilave do të njoftohen më vonë”.
Raporti shton se bllokada detare duhet të hiqet plotësisht brenda 30 ditësh sipas mirëkuptimit, dhe nëse kjo nuk ndodh “nuk do të bëhen ndryshime në Ngushticën e Hormuzit”. Po ashtu, media raportoi se një pjesë e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit duhet të lirohet në hapin e parë të çdo marrëveshjeje, duke sqaruar se çdo mirëkuptim fillestar (MOU) kushtëzohet me lirimin e të paktën një pjese të këtyre aseteve për shkak të përvojave të mëparshme negative me shkelje angazhimesh.

