Kreu i inteligjencës së jashtme të Estonisë, Kaupo Rosin, deklaron se Rusia po përballet me një presion në rritje ushtarak dhe ekonomik në luftën kundër Ukrainës dhe se “koha nuk është në favor të saj”. Në një intervistë për CNN, Rosin tha se brenda katër deri në pesë muajve të ardhshëm Presidenti Vladimir Putin mund të mos jetë më në gjendje të negociojë nga një pozicion force, për shkak të bllokimit në fushëbetejë dhe problemeve të brendshme në Rusi.
Sipas Rosin, Rusia po humb çdo ditë një numër të madh ushtarësh dhe nuk po arrin të zëvendësojë këto humbje, ndërkohë që dinamika e konfliktit është ndryshuar nga përdorimi i dronëve. Lufta me dronë, sipas tij, ka bërë që fronti të jetë i ngadaltë dhe pa përparime të mëdha, duke kontribuar në atë që ai përshkruan si një bllokim në terren. Këto kushte e vënë Moskën në një pozicion më të dobët ushtarak sesa më parë.
Rosin vëren gjithashtu ndikimin ekonomik të sanksioneve ndërkombëtare dhe të shpenzimeve të luftës mbi ekonominë ruse. Ai thotë se rritja ekonomike e Rusisë është ngadalësuar ndjeshëm, duke reflektuar presionet nga jashtë dhe kostot e vazhdueshme të konfliktit. Këto presione ekonomike, të kombinuara me humbjet ushtarake dhe ngecjen në fushëbetejë, sipas tij, mund të kufizojnë aftësinë e Moskës për të vepruar me efektivitet dhe për të mbajtur pozicione të forta negociuese.
Rosin paralajmëron se nëse autoritetet ruse kërkojnë të ndryshojnë situatën në terren, mund të detyrohen të ndërmarrin një mobilizim të ri të detyruar. Ai thekson se një mobilizim i tillë do të sillte rreziqe për stabilitetin e brendshëm të vendit. Megjithatë, Rosin shton se aktualisht ai nuk vërejnë shenja të një revolte apo tronditjeje të madhe në Rusi, duke argumentuar se aparati i sigurisë ushtron një kontroll të fortë që përmban potencialet për trazira.

