Një pjesë e madhe e Europës Perëndimore po përgatitet për valën e parë të rëndësishme të të nxehtit këtë verë, me temperatura që pritet të jenë mbi 10°C më të larta se mesatarja sezonale dhe me mundësi për rekorde të reja mujore në qindra zona. Sipas parashikimeve, në Portugali, Spanjë, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar temperaturat do të kalojnë 30°C gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme. Në Paris dhe Londër priten deri në 32°C, në jugperëndim të Francës deri në 35°C, ndërsa në rajonet Guadiana dhe Guadalquivir në Spanjë deri në 38°C.
Shërbimi meteorologjik francez Météo‑France paralajmëroi se mund të thyhen rekorde historike për temperaturat e muajit maj, ndërsa rajone si Bretanja pritet të përjetojnë temperatura shumë më të larta se normalja për këtë periudhë. Meteorologët e shpjegojnë fenomenin me një “heat dome” të shkaktuar nga ajri i nxehtë nga Afrika e Veriut i bllokuar nën një sistem të fortë presioni atmosferik. Ata theksojnë gjithashtu se ndryshimet klimatike po bëjnë që ngjarje të tilla ekstreme të ndodhin më shpesh, më herët dhe me intensitet më të madh.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Met Office ka lëshuar alarme për rrezik shëndetësor nga i nxehti ekstrem gjatë fundjavës. Temperaturat mund të arrijnë deri në 33°C në disa zona, duke iu afruar rekordit historik të majit prej 32.8°C të regjistruar në 1944. Disa zona mund të përjetojnë edhe valë zyrtare të të nxehtit nëse temperaturat mbeten mbi 26–28°C për disa ditë rresht.
Në Spanjë, ku tashmë temperaturat kanë arritur deri në 38°C, autoritetet raportuan një ngjarje tragjike: një vajzë dyvjeçare humbi jetën në rajonin Galicia pasi u la aksidentalisht për disa orë në një makinë. Shërbimi meteorologjik spanjoll AEMET paralajmëroi se vala do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, me temperatura tipike të muajve korrik dhe gusht. Zëdhënësi Rubén del Campo deklaroi se “Është një nxehtësi tipike vere e plotë” dhe se temperaturat janë 5°C deri në 10°C mbi mesataren sezonale në shumë rajone të Spanjës. Ekspertët paralajmërojnë se Evropa, kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, pritet të përballet më shpesh me episode të tilla ekstreme në vitet në vijim.

