Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë më 21–22 maj në Takimin Jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, të zhvilluar në Helsingborg të Suedisë. Gjatë takimit, Hoxha theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj vlerave të Aleancës, fuqizimin e lidhjes transatlantike dhe rritjen e investimeve në mbrojtje në përputhje me angazhimet e Aleatëve. Ai nënvizoi se buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 “përfaqëson nivelin më ambicioz të investimeve që kur Shqipëria iu bashkua Aleancës, duke kontribuar në aftësi më të forta kombëtare dhe siguri kolektive”.
Ministri ripërsëriti mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën si një gur themeli të sigurisë evropiane dhe konfirmoi vazhdimin e ndihmës përmes mekanizmave të NATO-s. Në këtë kontekst, Hoxha njoftoi se më 12 qershor do të bashkëorganizojë në Tiranë, së bashku me Ministrin ukrainas Andrii Sybiha, Takimin Ministror Ukrainë-Evropë Juglindore, të prezantuar si një platformë për riafirmimin e angazhimit të përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.
Në përfundim të takimit, Hoxha publikoi në platformën X se mes aleatëve theksoi rëndësinë e një qasjeje 360 gradë ndaj sigurisë dhe nevojën për të mbajtur një fokus të fortë në stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor. Ai deklaroi gjithashtu se “Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në mbështetjen e stabilitetit rajonal, duke përfshirë diskutimet e Aleatëve mbi të ardhmen e #KFOR-it dhe bashkëpunimin e #NATO-s me #Kosovën”.
Ministri e cilësoi Samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë si një moment historik për rajonin dhe si një sinjal të fortë të angazhimit të qëndrueshëm të Aleancës ndaj Ballkanit Perëndimor. Duke parë drejt Samitit të NATO-s në Ankara në korrik 2026, Hoxha përforcoi rëndësinë e mbajtjes së Samitit në Tiranë, duke e përshkruar atë si një ngjarje me domethënie të veçantë për vendet e rajonit dhe për marrëdhëniet me Aleancën.

