Federata Shqiptare e Futbollit organizoi një event mirënjohjeje dhe falënderimi për ish-trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, dhe dy zv.trajnerët, Dorival e Pablo Zabaleta, për kontributin e tyre gjatë tre vjet e gjysmë në krye të ekipit kombëtar. Në aktivitet morën pjesë presidenti i FSHF-së Armand Duka, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, administrata e Federatës, përfaqësues të mediave, ish-futbollistë të Kombëtares, sponsorë dhe bashkëpunëtorë.
Presidenti Duka falënderoi stafin teknik për profesionalizmin, përkushtimin dhe mënyrën dinjitoze me të cilën përfaqësuan fanellën kuqezi, duke veçuar si moment kulmor kualifikimin historik dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në Euro 2024. Si shenjë mirënjohjeje, Duka u dhuroi trajnerëve nga një fanellë të Kombëtares me mbishkrimin “Forever”, në vlerësim të kontributit të tyre në historinë e futbollit shqiptar.
Silvinjo u shpreh i lumtur dhe krenar për periudhën në krye të Kombëtares shqiptare, duke theksuar se përtej rezultateve sportive, ajo që do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij janë marrëdhëniet njerëzore dhe bashkëpunimi i përditshëm me stafin e FSHF-së. Ai falënderoi të gjithë punonjësit e Federatës për mbështetjen dhe vlerësoi frymën e unitetit që, sipas tij, ka shoqëruar ekipin gjatë gjithë rrugëtimit.
Trajneri theksoi se kur dikush merr përsipër një detyrë e përkushtohet plotësisht, duke pranuar se në futboll ka ditë kur puna shkon mirë dhe ditë kur nuk shkon. Përmbledhtas për tre vjet e gjysmë ai u shpreh absolutisht i lumtur për atë çfarë është bërë dhe rikujtoi moto-n e përbashkët: “Ne jemi një”. Silvinjo sqaroi se nuk dëshironte të fliste për Euro 2024, kualifikueset e Botërorit apo fazën play-off, por për njerëzit që punojnë në federatë.
Ai përmendi mbi 100 persona që jetojnë dhe punojnë për Federatën, dhe kujtoi bisedat dhe kafenet që ka ndarë me shumë anëtarë të stafit, veçanërisht në katin e katërt pranë kabinetit të presidentit. Raporti human dhe marrëdhëniet personale, tha Silvinjo, do të mbeten gjithmonë në zemrën e tij. Ai përfundoi me falënderime dhe mirupafshim. Top Channel.

