Pep Guardiola do të largohet nga Manchester City në fund të sezonit, duke përfunduar një periudhë historike te “Citizens”. Menjëherë pas konfirmimit të largimit, emri i tij është lidhur me stolin e kombëtares italiane. Sipas raportimeve të LaPresse, të konfirmuara nga burime pranë trajnerit, Guardiola është i hapur për të diskutuar drejtimin e Italisë dhe po e konsideron seriozisht këtë mundësi, çka do të përbënte rikthimin e tij në Itali pas eksperiencave si futbollist me Romën dhe Brescia-n.
Pengesë kryesore mbetet situata institucionale në Federatën Italiane të Futbollit (FIGC): zgjedhja e presidentit të ri pritet më 22 qershor, dhe vetëm pas këtij procesi mund të nisë në mënyrë konkrete kërkimi për trajnerin e ardhshëm të “Azzurrëve”. Aktualisht, pas largimit të Gennaro Gattuso-s dhe një pjese të stafit teknik, kombëtarja është përkohësisht nën drejtimin e trajnerit të ekipit U-21, Silvio Baldini, i cili do të udhëheqë skuadrën në miqësoret kundër Greqisë dhe Luksemburgut.
Çështja financiare paraqet një barrierë të rëndësishme: te Manchester City, Guardiola përfitonte rreth 28 milionë euro në sezon, pa përfshirë bonuset dhe pagat e stafit teknik. Federata italiane nuk është në gjendje të ofrojë shifra të ngjashme, ndaj çdo marrëveshje eventuale do të mbështetej më shumë te projekti sportiv sesa te aspekti ekonomik.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundit në Premier League kundër Aston Villa-s, Guardiola deklaroi se ka nevojë për pushim: “Tani kam nevojë për pushim. Nuk do të jem trajner për një periudhë. Kam 17 ose 18 vite në nivelin më të lartë, me presion çdo tre ditë për të fituar gjithçka. Duhet të ndalem pak, të marr frymë dhe të relaksohem.” Kjo deklaratë, sipas burimeve, nuk mbyll derën për një aventurë të re në të ardhmen, përfshirë dhe mundësinë e drejtimit të ekipit kombëtar të Italisë.

