Pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë të ndryshëm për gjendjen e rënduar në varrezat e qytetit të Krujës, autoritetet komunale kanë nisur punë për kositjen e barit dhe pastrimin e hapësirave të mbuluara nga ferrat dhe bimësia e dendur. Situata kishte shkaktuar shqetësim tek familjarët dhe të afërmit që vizitojnë varrezat, për shkak të rrugicave që ishin bërë thuajse të pakalueshme dhe së bashku me barishtet e larta që kishin mbuluar pllakat, ndër të tjera krijonin ndjenja frike dhe vështirësi në lëvizje.
Prej ditësh familjarë dhe qytetarë kanë denoncuar gjendjen, duke theksuar se përkeqësimi i mirëmbajtjes kishte sjellë pengesa në qasjen dhe kujdesin ndaj varreve të të afërmve. Denoncimet ngrejnë edhe pyetjen për funksionimin e shërbimit komunal përgjegjës për mirëmbajtjen e hapësirave funerale, pasi sipas qytetarëve ky shërbim numëron rreth 15 punonjës, por duket se sasia e punës dhe niveli i mirëmbajtjes nuk ka qenë i mjaftueshëm për të parandaluar degradimin e situatës.
Pas kthimit të vëmendjes ndaj këtij problemi, punonjësit kanë nisur ndërhyrjen konkrete: kositje e bimësisë dhe pastrim i mbetjeve që kishin mbuluar pjesë të ndryshme të varrezave. Kjo ndërhyrje u vlerësua nga qytetarët si e nevojshme për të rikthyer qarkullimin dhe qetësinë në zonë, por edhe si një masë që duhet të shoqërohet me mekanizma më të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm mirëmbajtjeje.
Qytetarët krutanë kërkojnë që puna e kryer të mos ngelë vetëm një ndërhyrje e përkohshme, por që të vendoset një ritëm i rregullt dhe i qëndrueshëm i mirëmbajtjes së varrezave, në mënyrë që të shmangen përsëritjet e situatave të ngjashme në të ardhmen. Në thelb, kërkesa e banorëve mbetet për sigurimin e kushteve të qasshmërisë, ruajtjes së pllakatave dhe pastrimit të vazhdueshëm të hapësirave funerale, në koordinim me shërbimin komunal të parashikuar për këtë detyrë. Top Channel.

