Deri atë ditë, Everest Çaka kishte ruajtur një profil të ulët në Elbasan, megjithëse lokalët e njihnin si një prej të fortëve me të shkuar të errët. I dyshuar për vrasje dhe përfshirje në trafik ndërkombëtar droge në Spanjë e më gjerë, 41-vjeçari u vra në një atentat të mirëorganizuar që nisi me inskenimin e një aksidenti. Vetura e tij u përplas nga pas në çastet që tentoi të nisej; në ato momente, drejt Çakës u qëllua me një breshëri plumbash që e lanë të vdekur në vend. Bashkëshortja e tij, dëshmitare e ngjarjes, u plagos me një plumb në krah. Ajo rrëfeu: “Pashë një burrë që u afrua tek xhami i shoferit dhe mbante në duar një armë. Ai qëlloi disa herë në drejtim të Everesit, në qafë dhe në gjoks. Një plumb më goditi në krah”.
Pesë vite pas ngjarjes, vrasja mbetet e pazbardhur dhe autorët nuk janë zbuluar. Viktima ishte kushëri i Arjan alias Ardit Spahiut, i njohur si ‘Arjani i vogël’, i ekzekutuar në Belgjikë më 27 nëntor 2020, në lagjen Molenbeek të Brukselit. Përveç armiqësive të shumta, Arjan Spahiu dhe Everest Çaka prej vitesh ishin përfshirë në një konflikt të gjatë dhe pak të dokumentuar: hasmëria mes familjeve Alikaj – Mahmuti nga njëra anë dhe Çaka – Spahiu nga ana tjetër. Pas vrasjes së Çakës, në polici u thirrën të afërm të familjes Alikaj, përfshirë Vladimir Merxhanin, dhëndër në familjen Alikaj, të cilës i janë vrarë dy djemtë në këtë përplasje. Vladimir rrëfen për herë të parë historinë e krimeve të pazbardhura dhe përmend emra që, sipas tij, mund të çojnë te e vërteta e plotë.
Në rradhët e informacionit përfshihet edhe pendimi i drejtësisë nga Erjon Alibej, një prej njerëzve më të afërt të kushërinjve të ndjerë. Vladimir Merxhani thotë se u mor nga shtëpia me tre djemtë dhe u mbajt rreth 21 orë në polici, duke kërkuar që “vetëm drejtësia të shkojë atje ku duhet dhe Erjon Alibej të dalë me ato deklaratat e veta…”.
Avokati Ermal Yzeiri vlerëson se prokuroria përdor pyetje të përgjithshme si teknikë hetimi për të ezauruar aspektin procedural. Ish-prokurori Florian Bonjaku nënvizon se “deklarimet e bashkëpuntorit të drejtësisë s’mund të jenë selektive; nëse janë selektive s’ka më marrëveshje, ai humbet statusin”, duke shtuar se marrëdhënia bazohet në së vërtetën dhe jo selektivitetin e deklarimeve.

