Dy cisterna kineze me naftë dolën mëngjesin e sotëm nga Ngushtica e Hormuzit, sipas të dhënave të transportit detar, një zhvillim që ka rritur shpresat se konflikti mund të përfundojë së shpejti dhe se qarkullimi në këtë rrugë të rëndësishme detare mund të rikthehet në normalitet. Sinyalet pozitive vijnë edhe nga vendet e Gjirit dhe nga deklaratat e presidentit Donald Trump, i cili parashikon një përfundim të shpejtë të luftës.
Ky optimizëm ka ndikuar tek tregjet e energjisë: çmimet referencë të naftës kanë pësuar një rënie të lehtë, me naftën bruto Brent që u ul përkohësisht në 110.16 dollarë për fuçi. Analistë dhe investitorë po vlerësojnë nëse tensionet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të zbuten dhe të çojnë në një marrëveshje paqeje. Toshitaka Tazawa, analist në Fujitomi Securities, tha se investitorët janë “të etur të vlerësojnë nëse Uashingtoni dhe Teherani mund të gjejnë një terren të përbashkët dhe të arrijnë një marrëveshje paqeje”, duke shtuar se qëndrimi i SHBA-së ndryshon “çdo ditë”.
Shtetet e Bashkuara po përpiqen të mbyllin luftën që e nisën së bashku me Izraelin pothuajse tre muaj më parë. Trump ka deklaruar gjatë këtyre muajve se një marrëveshje me Teheranin është afër dhe ka kërcënuar me sulme të ashpra ndaj Republikës Islamike nëse ajo nuk pranon të arrihet një marrëveshje. Administrata e Shtëpisë së Bardhë është nën presion për të siguruar një ujdi që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, ku kalon gati një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz të lëngshëm.
Në Shtetet e Bashkuara çmimet e gazit vazhdojnë të qëndrojnë të larta, dhe popullariteti i presidentit Trump ka pësuar goditje përpara zgjedhjeve të Kongresit që afrohen në nëntor.

