Qeveritë e Bashkimit Europian po shqyrtojnë mundësinë që figura të tilla si ish-Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi ose ish-Kancelarja gjermane Angela Merkel të veprojnë si një bllok zyrtar në negociatat e mundshme me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa rritet interesi për rihapjen e kanaleve formale të dialogut me Moskën, raporton Financial Times.
Ministrat e jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë meritën e kandidatëve të mundshëm në një takim në Qipro javën e ardhshme, sipas burimeve të informuara mbi bisedimet. Sipas të njëjtave burime, vendet si Uashingtoni dhe Kievi kanë shprehur mbështetjen për një dialog midis Evropës dhe Putinit mbi luftën në Ukrainë, çka ka nxitur diskutimet brenda BE-së për emërimin e ndërmjetësve të mundshëm.
Kur u pyet për gatishmërinë e saj për të marrë përsipër një rol të tillë, Merkel u përgjigj se të tjerët ndoshta do të ishin më të përshtatshëm, duke theksuar se Putini i merr seriozisht vetëm udhëheqësit në detyrë. Në reagim zyrtar të veçantë, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se partnerët e BE-së po “diskutonin çështjen në thellësi” dhe nuk pranoi të komentonte për emra individualë.
Financial Times shton se agjenda e takimit të ministrave të jashtëm do të përfshijë gjithashtu diskutime më të gjera rreth parametrave të një marrëdhënieje të mundshme pas përfundimit të konfliktit me Rusinë. Temat që do të trajtohen përfshijnë se çfarë do të kërkonte Evropa në një marrëdhënie post-konflikt, cilat do të jenë vijat e kuqe për një marrëveshje të mundshme në Ukrainë dhe cilat do të jenë parakushtet për fillimin e çdo bisede me Kremlinin.
Lajmi është përcjellë nga Financial Times dhe publikuar më tej nga Top Channel.

