Viti zero i kombëtares italiane rrezikon të mos ketë një start të lehtë. Cikli i ri i Të Kaltërve duhet të nisë me ndeshjen miqësore të 3 qershorit me Luksemburgun dhe të vazhdojë më 7 qershor me Greqinë. Me Italinë të përjashtuar nga Botërori i kësaj vere, miqësoret e qershorit nuk ofrojnë të njëjtën tërheqje për futbollistët kryesorë, çka ka nxitur trajnerin Silvio Baldini të konsiderojë grumbullimin e shumë të rinjve për këto dy ndeshje. Baldini, që ka ndjekur talentet edhe gjatë kohës në drejtim të kombëtares U21, synon të testojë në fushë lojtarët e rinj, për të garantuar uri, vrap dhe motivim që mund të mungojnë te “senatorët” në prag të pushimeve verore.
Por Federata Greke e Futbollit (EPO), sipas mediave, kërkon një test me nivel më të lartë: edhe Greqia nuk u kualifikua për në Botëror dhe po hedh sytë drejt Nations League të shtatorit, prandaj kërkon që ndeshja e qershorit të jetë një provë serioze dhe jo një përballje ndaj një ekipi të përbërë kryesisht nga lojtarë të rinj italianë. Kontaktet mes dy federatave vijojnë prej një jave në kërkim të një kompromisi.
Pozicioni i Federatës Italiane (FIGC) është i qartë: zgjedhjen e formacionit duhet ta bëjë trajneri. Aktivizimi i disa emrave si Donnarumma, Palestra, Pisilli, Ahanor, Esposito dhe Bartesaghi nuk konsiderohet mungesë respekti ndaj kundërshtarëve, por një mënyrë për t’i dhënë vlerë të rinjve dhe për të projektuar kombëtaren drejt së ardhmes. Objektivi i FIGC dhe stafit teknik është testimi i talentëve të rinj dhe ndërtimi i një baze për ciklin e ardhshëm.
Situata mbetet në evoluim dhe sfidat e organizimit janë të mëdha, pasi kalendari ndërkombëtar në fillim të qershorit është mjaft i ngjeshur dhe lista e kundërshtarëve të lirë e e disponueshëm është shumë e kufizuar. Kjo rrit rrezikun e ndryshimeve të fundit në program.

