Zbardhet ngjarja në Mamurras ku një i ri i shpallur në kërkim mbeti i plagosur gjatë tentativës për ta kapur nga policia. Policia njofton se, në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale dhe pas shkëmbimit të informacioneve e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, u administrua informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos për tentativë vrasjeje.
Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari po shoqërohej nga shtetasi A. F. dhe po lëvizte me automjet. Sipas njoftimit të policisë, sapo kanë konstatuar efektivët, Dema ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke rrezikuar jetën e shërbimeve. Në të njëjtën kohë, personi shoqërues, A. F., ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë ndaj shërbimeve të Policisë.
Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 28 vjeç, i cili shoqëronte shtetasin në kërkim. Po ashtu është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë që dyshohet të jetë përdorur gjatë ngjarjes.
Policia njofton se hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me Autoritetin e Monitorimit dhe Përgjegjësisë (AMP) dhe në drejtimin e Prokurorisë. Informacionet e publikuara përshkruajnë se operacioni ishte rezultat i koordinimit operativ dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, dhe se ndërhyrja e policisë u bë pas identifikimit të vendndodhjes së të dënuarit.

