Një tragjedi ka tronditur Maldiveve, ku trupat e dy zhytësve italianë që humbën jetën gjatë eksplorimit të një shpelle nënujore janë gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit, ndërsa operacioni vijon për gjetjen e dy personave të tjerë të zhdukur. Sipas autoriteteve, zhytësit ishin pjesë e një ekipi prej pesë anëtarësh që hynë në shpellën nënujore javën e kaluar. Trupi i instruktorit të grupit ishte gjetur të premten, ndërsa dy trupat e tjerë u lokalizuan në një thellësi prej rreth 30 metrash.
Operacioni u realizua me pjesëmarrjen e një ekipi special zhytësish finlandezë, të cilët iu bashkuan kërkimeve këtë javë, dhe që morën pjesë në nxjerrjen e trupave. Pas nxjerrjes nga shpella, trupat u transportuan në sipërfaqe nga zhytësit maldivianë dhe policia lokale. Zëdhënësi i autoriteteve, Mohamed Hussein Sharif, deklaroi për Reuters se identitetet ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por bëhet fjalë për trupin e një burri dhe një gruaje.
Ekipi i zhytjes drejtohej nga Monica Montefalcone, 51 vjeç, profesoreshë në Universitetin e Xhenovës dhe ekologe detare e njohur, e cila kishte eksperiencë të gjatë në ujërat e Oqeanit Indian. Në ekspeditë merrte pjesë edhe vajza e saj. Autoritetet në Maldive po hetojnë shkaqet e aksidentit, që është përshkruar si incidenti më vdekjeprurës në historinë e zhytjeve në vend. Hetimet po përqendrohen edhe te mundësia që ekipi të ketë zbritur në thellësi më të mëdha se sa ishte planifikuar fillimisht.
Sipas planit të autoriteteve, trupat e dy zhytësve të tjerë pritet të nxirren nesër nga e njëjta shpellë, e cila ndodhet rreth 60 metra nën sipërfaqen e ujit në atolin Vaavu, në jug të kryeqytetit Male. Operacionet e vazhdueshme të kërkimit dhe hetimet lokale synojnë të sqarojnë rrethanat dhe shkakun e tragjedisë, ndërkohë që ekipet ndërkombëtare dhe ato lokale vijojnë punën në vendngjarje.

